2017-10-05 13:48:00

Papa Françesku: jetësore, ta shpallim Ungjillin në gjithë botën


Të krishterët duhet ta shpallin Ungjillin në gjithë botën, pa frikë, siç dëshmojnë besimtarët, që pësojnë persekutime: kështu foli sot Papa Françesku, në audiencën me anëtarët e Komitetit për Marrëdhëniet me Kishat e “United Bible Societies” (Shoqëria biblike universale), organizatë e themeluar më 1946, në të cilën bëjnë pjesë 150 Shoqata Biblike kombëtare, ndër to edhe ajo shqiptare. Synimi është përhapja e Biblës në të gjitha kontinentet.

Ati i Shenjtë u shprehu mirënjohjen të gjithë atyre, “që bëjnë çdo përpjekje për ta bërë të njohur Ungjillin, duke e lehtësuar takimin me Biblën në gjuhë të ndryshme” e përmes formave të shumta të komunikimit shoqëror. “Jemi shërbëtorë të Fjalës së shëlbimit – nënvizoi. T’i japim mundësi Fjalës ‘të na plagosë’ është e domosdoshme për ta shprehur me gojë atë, që na mbush zemrën”:

“Me ndihmën e Shpirtit Shenjt, duhet të ushqehemi në tryezën e Fjalës, përmes leximit, dëgjimit, studimit dhe dëshmisë së jetës. Ne u kushtojmë kohë atyre që duam e këtu, është fjala për të dashur Zotin, i cili deshi vetë të na flasë e na ofron gjithnjë fjalë amshimi”.

Duhet, nënvizoi Papa, të presim një impuls të ri në jetën tonë shpirtërore, nëse e rrisim nderimin për Fjalën e Zotit. Por ajo nuk duhet mbajtur për vete:

“Është jetësore që sot, Kisha të dalë për t’u kumtuar Ungjillin të gjithëve, në të gjitha vendet, në të gjitha rastet, pa vonesë, pa pezmatim e pa frikë (shih Nxitjen ap. Evangelii gaudium, 23). Dhe ta bëjmë për t’iu bindur mandatit misionar të Zotit, me sigurinë e pranisë së Tij mes nesh deri në fund të botës (shih Mt 28,20)”.

         Fjala e Zotit, shpjegoi Papa Françesku, na shndrit, na mbron, na shëron e na çliron. Për të, shumë vëllezër e motra të krishtera janë në burg e shumë të tjerë kanë derdhur gjakun për të dëshmuar fenë në Zotin tonë Jezu Krisht. Por Fjala e Zotit është edhe fjalë pajtimi ndërmjet vetë të krishterëve, kur ata i shërbejnë së vërtetës:

         “Jemi të bindur se ‘bashkimi që dëshiron Zoti, mund të realizohet vetëm në pranimin e përbashkët të përmbajtjes së plotë të fesë së zbuluar. Në rastin e fesë, kompromisi është në kundërshtim me Zotin, që është e Vërteta. Në Korpin e Krishtit, që është ‘udha, e vërteta dhe jeta’ (Gjn 14,6), kush mund ta konsiderojë të ligjshëm një pajtim të arritur me flijimin e së vërtetës?” (Let. Enc. Ut unum sint, 18).

         Papa fton, së fundi, të ecim së bashku që Fjala e Zotit të përhapet e të lutemi së bashku që të bëhet vullneti i Atit Qiellor. Por edhe të punojmë së bashku që të realizohet në ne, gjithçka ka thënë Zoti.








All the contents on this site are copyrighted ©.