2017-10-04 12:09:00

Papa Françesku: të krishterët janë dëshmitarë shprese në botë


“Të krishterët nuk janë kurrë njerëz të lehtë e qejfpaprishur, e kam fjalën për të krishterët e vërtetë, natyrisht, eh? Butësia e tyre nuk duhet ngatërruar me një lloj pasigurie e nënshtrimi ndaj vullnetit të tjetërkujt””. Këtë nënvizoi Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, para mëse15 mijë shtegtarëve të ardhur nga vendet e ndryshme të botës në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, për takimin javor me Atin e Shenjtë. “Kur bien, - vuri në pah Papa – çohen gjithmonë në këmbë. Ja se pse i krishteri është një misionar i shpresës”

Duke hapur katekizmin e sotëm, me temën “Misionarë të shpresës sot”, Papa Françesku u kujtoi të pranishmëve se “i krishteri nuk është profet ndjellë keq, a e kuptuat mirë këtë? Ne nuk jemi profet që ndjellim keq; thelbi i kumtimit të profetit është i kundërt, është krejt diçka tjetër, në kundërshtim me fatin e keq është Jezusi, që vdiq për dashuri, e është ngjallur në mëngjesin e Pashkëve”.

Të krishterët nuk janë “dishepuj të aftë vetëm t’i përsërisin formulat që i kanë mësuar përmendësh”, por janë “dëshmitarë: njerëz që përhapin shpresën me mënyrën e tyre të mikpritjes, të buzëqeshjes, të dashurisë”, “sidomos të dashurisë”, “edhe atëherë kur dashuria duket se i humbur arsyet e veta”. Këtë theksoi Papa Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme duke shpjeguar se “ka diçka më shumë, më me vlerë që e përshkon dhe banon në ekzistencën e krishterë, e që nuk shpjegohet thjeshtë me forcën shpirtërore a me një optimizëm më të madh. Është sikur të thuash se besimtarët janë njerëz me një ‘copë të qiellit’ më tepër mbi kokë, do të thotë me një lidhje të veçantë me Zotin, e kjo është diçka e bukur, eh?, shpresa jonë nuk është vetëm optimizëm, shoqëruar nga një prani e që dikush nuk ia del as t’i kuptojë me intuitë”. Detyra e të krishterëve është “hapja e hapësira të reja të shpëtimit, si qeliza ripërtëritjeje që janë në gjendje t’ia kthejnë limfën asaj që duket se ka humbur përgjithmonë”, dhe “i krishteri i vërtetë” është “jo një që ankohet e hidhërohet, por një i bindur se asnjë e keqe nuk është e pakufishme, se asnjë natë nuk është e pa mbarim, se asnjë njeriu nuk është përfundimisht i gabuar, se asnjë urrejtje nuk është e pafitueshme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.