2017-10-04 14:59:00

Papa Françesku: audienca, nga 19 deri më 24 mars 2018 mbledhja parasinodale me të gjithë të rinjtë e botës


Papa Françesku: audienca, nga 19 deri më 24 mars 2018 mbledhja parasinodale me të gjithë të rinjtë e botës. “Duhet t’i dëgjojmë të rinjtë!”

“Dëshiroj t’u njoftoj se, nga data 19 deri më 24 mars 2018, është thirrur nga Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit të ipeshkvijve një Mbledhje parasinodale, në të cilën janë të ftuar të marrin pjesë të rinjtë nga viset e ndryshme të botës: si të rinjtë katolikë, të rinjtë e besimeve të ndryshme të krishtera dhe të feve tjera, si dhe jo besimtarët”.

Kështu tha Papa, në audiencën e sotme të përgjithshme në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, para përshëndetjes që u drejtoi besimtarëve të gjuhës italiane. “Kjo nismë – shpjegoi Ati i Shenjtë – vendoset në udhën e parapërgatitjes për Asamblenë e ardhshme të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që është në program në tetorin e vitit 2018, e cila do të ketë për temë ‘Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes së shenjtë’.

“Me këtë udhëtim Kisha dëshiron të vihen në dëgjimin e zërit, të ndjeshmërisë, të fesë e edhe të dyshimeve e të kritikave të të rinjve”, vijoi Papa Françesku, i cili më pas shtoi: “Duhen dëgjuar të rinjtë!”. “Për këtë arsye, përfundimet e mbledhjes së marsit 2018 do t’u transmetohen etërve sinodalë”, përfundoi Ati Shenjtë Bergoglio.








All the contents on this site are copyrighted ©.