2017-10-03 16:25:00

Çmimi Nënë Tereza 2017 iu dha salezianit atë Tom Uzhunnalil


Rregulltari salezian nga India, Atë Tom Uzhunnalil, i cili qe rrëmbyer në Aden në vitin 2016 dhe liruar në shtatorin e kaluar me ndërmjetësimin e Sulltanit nga Omani, fitoi Çmimin Nënë Tereza Memorial për drejtësinë shoqërore 2017. Kështu bënë të ditur Abraham Mathai, president i Harmony Foundation, organizatë me seli në Mumbai e cila që nga viti 2007 ndanë çmimin në përkujtim të Shenjtës nga Kalkuta, pra, në përkujtim të Shën Nënë Terezës Ganxhe Bojaxhiu.

Në komunikatën e fondacionit – njofton agjencia AsiaNews – lexohet se atë Tom vlerësohet me çmimin Nënë Tereza “për shembullin e tij frymëzues që tregojë me dashurinë e tij njerëzore, me kujdesin plot mirëkuptim dhe punën e palodhur në shtëpinë e pleqve që kanë Misionaret e Dashurisë në Jemen, ku edhe pse kishte mundësinë për t’u larguar nga vendi i varfër”, ai vijoi me përkushtim e dashuri misionin pranë pleqve dhe të varfërve. “Ne lëvdojmë dhe vlerësojmë  – vazhdon dokumenti – përkushtimin dhe impenjimin e atë Tom për punën që ai bëri në një vend tejet të rrezikshëm, ku kolegët e tij janë vra” për shkak të shërbimit dhe të dëshmisë së tyre.

Atë Tom qe kidnapuar më 4 mars 2016 në shtëpinë e pleqve të motrave misionare të Nënë Terezës në Aden. Në sulmin e qaedistëve, u vranë katër motra misionare e 12 persona tjerë. Saleziani, 57 vjeç, ka lindur në Ramapuram, afër Pala (Kottayam, Kerala), nga një familje thellësisht katolike. Xhaxhai i tij Mateu, vdekur më 2015, edhe ai salezian, është themelues i misionit në Jemen.

Ceremonia e dorëzimit të çmimit Nënë Tereza 2017 do të zhvillohet më 10 dhjetorin e ardhshëm në Mumbai. Tema e edicionit të këtij viti është “Dhembshuria përtej kufijve – Një përgjigje përdëllyese ndaj krizës së refugjatëve”.

Harmony Foundation u krijuar në tetor të vitit 2005 për t’i përhapur idetë e paqes, të dialogut dhe ndihmës komuniteteve pas dallim feje, race, besimi a etnie. Ndër ata që viteve të kaluara fituan çmimin Nënë Tereza është, Dalai Lama, Mjekët pa kufij e çmimi Nobel per paqe Malala Yousafzai. 








All the contents on this site are copyrighted ©.