2017-10-02 14:13:00

Papa në Bolonjë. Kisha, familja, shoqëria, mos hiqni dorë nga takimi


“Fjala, Buka, të varfërit: të kërkojmë hirin për të mos i harruar kurrë këto ushqime-bazë, që e mbështesin udhën tonë”. Vërtet, Fjala e Zotit është “busulla për të ecur në përvujtëri, për të mos e humbur rrugën e Hyjit e për të mos rënë në mëkatet e kësaj bote”. Pastaj, “në Bukën eukaristike”, në Eukaristi pra, e takojmë Kishën e jo në “thashetheme e në kronika”. Më pas, “të varfërit”, në trup e në shpirt, duke kujtuar se Jezusi ndoqi udhën e varfërisë. Kështu, “nga Eukaristia tek të varfërit shkojmë për të takuar Jezusin”. Me pak fjalë, ky ishte amaneti, që u la Papa Françesku rreth 40 mijë besimtarëve të mbledhur në Stadiumin Dall’Ara, për meshën, që shënoi edhe çastin kulmor të vizitës baritore të Atit të Shenjtë në Bolonjë.

Paradite, Papa Françesku shkoi në Çezenë, ku kujtoi Papën Piu VI në 300 vjetorin e lindjes e, pastaj, në Bolonjë, për mbylljen e Kongresit të dhjetë Eukaristik dioqezan.

Vizitën e tij të parë në Çezenë ua rezervoi të strehuarve në Hub-in rajonal të rrugës Mattei, një Lampeduzë e vogël me emigrantë e refugjatë, siç e quajti kryeipeshkvi i vendit, imzot Zuppi. Edhe Papa deshi të mbajë byzylykun identifikativ me ngjyrë të verdhë, sinjal për njohjen e të strehuarve në qendër. I përshëndeti një e nga një personelin dhe emigrantët, që i quajti “luftëtarë të shpresës”.

 “Shumë njerëz – vërejti – ju njohin e kanë frikë. Kujtojnë se kanë të drejtë t’ju gjykojnë e madje, ta bëjnë këtë me ashpërsi e ftohtësi, duke menduar se i dinë mirë punët. Nuk është kështu. I merr vesh mirë punët vetëm përmes afërsisë, që ngjall mëshirë”. Papa Françesku kërkoi që fenomeni i emigracionit të trajtohet me “largpamësi” dhe “inteligjencë”, duke hapur “korridore humanitare” për të shmangur muaj e muaj pritjeje. Nuk mungoi as kërkesa drejtuar refugjatëve që të jenë gati “të ecin në rrugën e treguar nga ligjet e vendit”.

Por kulmi i duatrokitjeve arriti kur Ati i Shenjtë theksoi se do ta marrë me vete, në zemër, parrullën, që e pa në qendër, ku ishte shkruar: “Papa Françesku na ndihmo për dokumentet”. Në fjalën e tij, Papa kujtoi se 760 vjet më parë, Bolonja qe qyteti i parë evropian, i cili i liroi shërbëtorët e nga robëria feudale, duke i paguar nga thesari i qytetit. Qenë 5855 vetë, që u ndihmuan dhe u shkruan në Liber Paradisus, pra në librin, që përmbante ligjin për lirimin nga skllavëria. “Sa do të doja – u tha Papa emigrantëve – që edhe emrat tuaj të shkruheshin e të kujtoheshin për të gjetur të gjithë, ashtu si atëherë, një të ardhme të përbashkët”.

Pas takimit emocionues me emigrantët, Ati i Shenjtë shkoi në qendër të qytetit, në Piazza Maggiore, ku besimtarët dëgjonin këngëtarin e njohur italian, Gianni Morandi. Papa tha Lutjen e Engjëllit të Tënzot, pasi i foli botës së punës. Ati i Shenjtë vuri theksin mbi papunësinë e rinisë dhe nënvizoi se kriza globale nuk është vetëm ekonomike, por edhe etike, shpirtërore dhe njerëzore. Në bazën e saj, denoncoi, qëndron tradhtia ndaj së mirës së përbashkët, si nga ana e personave të veçantë, ashtu edhe nga ana e grupeve në pushtet. Është e nevojshme që në qendër të veprimtarisë njerëzore të mos jetë ligji i fitimit, kërkoi Papa, por njeriu dhe e mira e përbashkët. E kjo mund të bëhet vetëm me sigurimin e punës dinjitoze për të gjithë.

Pas Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë hyri në bazilikën e Shën Petronit, simbol i identitetit bolonjez, ku drekoi me të varfërit e qytetit. Pastaj, etapa e kryeipeshkvisë dhe e katedrales së Shën Pjetrit, ku Papa u takua me klerin e me seminaristët. Atyre u foli pa letër, duke iu përgjigjur dy pyetjeve. I ftoi për guxim, për marrëdhënie të mira me popullin e Zotit, për antiklerikalizëm, kundër karrierizmit kishtar e thashehemeve. Duke iu drejtuar veçanërisht rregulltarëve, u tha të mos bien pre e “psikologjisë së mbijetesës” dhe e tundimit për ta kërkuar sigurinë tek paraja, në mungesë të thirrjeve. Rregulltarët, kritikoi Papa, nuk respektojnë kushtin e varfërisë, më shumë se sa kushtin e pastrisë dhe të bindjes.

Në sheshin e shën Domenikut, gjithnjë në Bolonjë, Ati i Shenjtë u takua me botën akademike. Pas një vizite të shkurtër në bazilikë dhe lutjes para relikuarit të shenjtit, Papa Françesku iu përgjigj përshëndetjes së rektorit dhe të një përfaqësuesi të studentëve, në Universitetin më të lashtë të Evropës. E duke u nisur nga fakti që Universiteti “Alma Mater” lindi për të studiuar ligjin, të drejtën, propozoi tri të drejta, “që më duken aktuale”, tha Papa. Së pari, “të drejtën për kulturë”, për t’iu përgjigjur kështu, konsumizmit kulturor.

“Të mos kënaqemi duke shkuar pas audiencës, të mos ndjekim paroditë e indinjatës në media, që shpesh lindin nga egoizma të mëdha”, por “t’i kushtohemi me pasion edukimit, pra ‘të nxjerrim’ më të mirën nga secili për të mirën e të gjithëve”.

Së dyti, “e drejta për shpresë”, pra, nënvizoi Papa, e drejta për të mos u sulmuar përditë nga retorika e frikës dhe e urrejtjes, për të mos u mbytur me fraza populiste e me lajme të rreme, që i sjellin përfitime ndokujt. T’i vihet kufi kronikës së zezë, për t’i dhënë më tepër hapësirë asaj “të bardhës”, për të cilën, shpesh, heshtet.

Së fundi, “e drejta për paqen”. E këtu, Papa Françesku nuk mund të mos citonte ish-ipeshkvin e Bolonjës, Papën Benedikti XV, i cili nënvizonte: “historia na mëson se lufta është gjithmonë e vetëm ‘masakër e kotë’”. (Në parantezë, kujtojmë se ky Papë ka qenë vendimtar edhe për pavarësinë e Shqipërisë). “Kurrë më luftë – ngriti zërin Françesku – kurrë më kundër të tjerëve, kurrë më pa të tjerët! Të nxirren në dritë interesat dhe intrigat, shpesh të errta, të atyre, që fabrikojnë dhunë, ushqejnë garën e armatimeve, duke shkelur paqen për hir të fitimeve”.

Dita e ngjeshur emiliano-romanjole e Papës, siç e thamë, përfundoi me kremtimin eukaristik në Stadiumin Dall’Ara. Mbi altar, fugurja e Zojës së Shën Lukës, ardhur nga shenjtërorja me të njëjtin emër, shumë e dashur për bolonjezët. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë nënvizoi se “nuk ekziston jetë e krishterë e përcaktuar në tryezë, e ndërtuar shkencërisht, ku mjafton të zbatosh disa rregulla për ta qetësuar ndërgjegjen”. Jeta e krishterë është udhë e përvuajtur e ndërgjegjes, që nuk duhet të ngurtësohet kurrë e duhet të mbetet gjithnjë në marrëdhënie me Zotin. Ndërgjegje, që di të pendohet e t’ia besojë veten Hyjit, pa menduar se i mjafton vetvetja. Vetëm kështu kapërcehen hipokrizia, dyfytyrësia, klerikalizmi, legalizmi, shkëputja nga njerëzit. Zoti kërkon njerëz të pastër në zemër, jo të pastër nga jashtë, si mëkatarët hipokritë, theksoi Papa.

E së fundi, amaneti i tre “P”-ve, nga italishtja: Parola, Pane eucaristico, poveri (Fjala e Zotit, Buka eukaristike, të varfërit). 








All the contents on this site are copyrighted ©.