2017-10-02 16:30:00

Papa: dhurata e jetës dhe e Gjithësisë vijnë nga dashuria e Zotit


“Të jeni burra e gra, të rinj e të reja, mbrojtës të jetës, rojtarë të gjithësisë, dëshmitarë të dashurisë së dhuruar, që sjell fryte të së mirës për bashkësinë”: kështu foli Papa Françesku në audiencën e paradites në Vatikan, me Institutin Italian të Donacionit, me rastin e Ditës së Donacionit, që kremtohet më 4 tetor. Dhurata më e madhe që Zoti i ka bërë secilit prej nesh, nënvizoi Ati i Shenjtë, është jeta; e jeta bën pjesë në një dhuratë tjetër hyjnore në zanafillë, që është gjithësia.

 “Të gjithë duhet ta ndjejmë përgjegjësinë e madhe për ta ruajtur si duhet gjithësinë e për t’u kujdesur për të, duke e mbrojtur nga format e ndryshme të dëmtimit e prishjes. E kemi për detyrë ta ruajmë e t’ua dorëzojmë të plotë brezave të ardhshëm planetin, të cilin e kemi marrë si dhuratë falas nga mirësia e Zotit”.

 “Dhurata e jetës dhe dhurata e gjithësisë – vijoi Françesku – vijnë nga dashuria e Zotit për njerëzimin; madje, përmes këtyre dhuratave, Zoti na e ofron këtë dashuri. E në masën me të cilën e mirëpresim, mund të bëhemi edhe ne, dhuratë dashurie për vëllezërit”. Papa kujtoi fjalët e Krishtit në Darkën e Mbrame, kur u la dishepujve Urdhërimin e Dashurisë. Urdhërim i ri, sepse nuk është çfarëdo dashurie, theksoi Ati i Shenjtë, por dashuria e Jezusit, i cili dha jetën për ne. Dashuri, që kthehet në shërbim për të tjerët, që përulet, që refuzon çdo formë dhune, që respekton lirinë, promovon dinjitetin dhe refuzon çdo diskriminim. Dashuri e çarmatosur, që është më e fortë se urrejtja, pohoi Papa.

Prandaj, “dhurata”, që kremtohet më 4 tetor në Itali, nuk është koncept abstrakt, por veprim, që i ka rrënjët në Ungjill. Është përvojë edukative, që kontribuon në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë, prandaj duhet promovuar ndër të rinjtë, këshilloi Papa. Kur dhuron, ndjehesh më i lumtur ti e të tjerët, krijon lidhje e marrëdhënie, që e forcojnë shpresën për një botë më të mirë, përfundoi Ati i Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.