2017-09-30 15:39:00

Tweet i Papës: të krishterët, hebrenjtë e myslimanët të lutën për paqe


“Në kohën tonë ka shumë nevojë për lutjen – e të krishterëve, hebrenjve dhe myslimanëve – për paqe”. Kështu Papa në një tweet të ri botuar në faqen e internetit në nëntë gjuhë @Pontifex, të shtunën më 30 shtator 2017.

 Edhe në audiencën e përgjithshme të 7 qershorit të kaluar, Papa Françesku pati kërkuar lutjen ndërfetare për paqe, duke evokuar takimin që ai pati në Vatikan me ish presidentin izraelit Shimon Peres e presidentin palestineza Mahmoud Abbas, në praninë e Patriarkut të Konstandinopojës Bartolomeu I, më 8 qershor të vitit 2014.

Edhe me atë rast, Papa Françesku pati nënvizuar rëndësinë e Lutjes për paqen. Lutje Zotit që të arrihet paqja në Tokën Shenjte, në Lindjen e Mesme e në mbarë botën, u kërkua më 8 qershorin e vitit 2014 në Vatikan. Lutje Hyjit të paqes, që të sjellë mbi Tokë paqen, udhën e së cilës njerëzit duket se e kanë humbur prej vitesh. Lutje për atë paqe, e cila edhe pas sa e sa bisedimesh, tryezash të rrumbullakëta e ecejakesh të pushtetarëve të kësaj bote, duket se nuk arrin kurrë.

Kjo pra qe lutja e 8 qershorit 2014 në Kopshtet e Vatikanit, ku Papa Françesku, gjatë udhëtimit të tij në Tokën Shenjte, pati ftuar presidentin izraelit Shimon Peresh dhe atë palestinez, Mahmud Abas. I pranishëm edhe Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I 
U luten fillimisht hebrenjtë, pastaj të krishterët e më pas myslimanët. Të gjithë, në tri pjesët, që përbëjnë lutjen, fillimisht duke i thurur lavde Zotit për dhuratën e Krijimit e për faktin se i ka krijuar njerëzit, anëtarë të një familjeje të vetme. Më pas, në pjesën e dytë, i kërkuan falje Zotit për të gjitha rastet kur të krishterët, myslimanët e hebrenjtë nuk janë sjellur si vëllezër e motra me njëri-tjetrin, si edhe i kërkuan falje Hyjit për mëkatet kundër Tij e kundër të afërmve. Në pjesën e tretë, lutja Zotit për t’i dhuruar paqen Tokës Shenjte e për t’i shndërruar të gjithë njerëzit në ndërtues të paqes. Çdo çast u nda nga tjetri me një pauzë muzikore, për t’i lënë pastaj vendin lutjes së Papës Françesku dhe të dy presidentëve.
Zgjodhëm tri çaste nga kjo lutje e veçantë mbajtur në Kopshtet e Vatikanit, në një lëndinë të bleruar, që sheh drejt Kupolës së Bazilikës së Shën Pjetrit, vend i përshtatshëm për ta ndjerë veten pranë Hyjit të Gjithëpushtetshëm e për ta lënë Shpirtin Shenjt Hyj, t’i prekë zemrat e të pranishmëve, por edhe të të gjithë njerëzve, që anekënd botës qenë bashkuar me këtë grup të vogël, që lutej në Vatikan.

Ja lutja e hebrenjve:
“O Zot, na jep paqen, mirësinë, bekimin, hirin, dashurinë, respektin dhe mëshirën ne, gjithë popullit të Izraelit dhe gjithë botës. Na beko të gjithëve me dritën e Fytyrës tënde, o Ati ynë. Sepse me dritën e Fytyrës Tënde, Ti na ke dhënë o Zot, Hyji ynë, Torah-un e Jetës, dashuri e respekt, ndershmëri e bekime dhe jetë e paqe. Qoftë vullneti yt që të na bekosh të gjithëve me Paqen Tënde”.

Të krishterët zgjodhën një lutje të Shën Françeskut të Asizit:
“O Zot, më bëj mjet të Paqes tënde:
Ku ka urrejtje, bëj që unë të çoj Dashurinë.
Ku ka fyerje, të çoj Faljen.
Ku ka mosmarrëveshje, të çoj Bashkimin.
Ku ka dyshime, të çoj Fenë.
Ku ka gabime, të çoj të Vërtetën.
Ku ka dëshpërim, të çoj Shpresën.
Ku ka trishtim, të çoj Gëzimin.
Ku ka errësirë, të çoj Dritën.
O Mësues, bëj që unë të mos kërkoj aq:
Të ngushëllohem, se sa të ngushëlloj.
Të kuptohem, se sa të kuptoj.
Të duhem, se sa të dua.
Sepse
Duke dhënë, merr;
Duke falur, falesh;
Duke vdekur, ringjallesh për Jetën e Amshuar”.

E ja tani, lutja e myslimanëve për paqen:
“Lavdi Zotit të mëshirshëm, të dhembshur, mbret, shenjt, paqësor, besnik, sovran, i çmuar, i fuqishëm, madhështor, krijues, ideator, formues.
O Zot, Ti je paqe, e paqja vjen prej Teje dhe tek Ti paqja kthehet. Ti je i bekuar e Ti je i lavdishëm, O Zot i shkëlqimit dhe i nderit, na frymëzo, o Zot, me paqe e na zbulo paqen e na bëj banorë të mbretërisë së paqes, ndër ata, që nuk jetojnë me frikë e dhimbje.
O Zot, kërkojmë strehim tek Ti nga padrejtësia e shtypja, nga sulmi i paligjshëm, e ne të kërkojmë, o Zoti ynë, të na udhëheqësh në udhën e drejtë, që të mos humbim e të mos biem, duke besuar në Ty e duke e lëshuar veten në duart e Tua. Na udhëhiq o Zot drejt fjalëve më të përshtatshme, na udhëhiq o Zot drejt veprave më të përsosura, na udhëhiq o Zot drejt një morali më të mirë, sepse askush përveç teje nuk mund të na udhëheqë e Ti je i aftë për gjithë këto gjëra.
O Hyj, na bëj o Zot të prirur për gjithçka është e mirë, kundër gjithçkaje të keqe, të lutemi të na tregosh gjithçka është e mirë dhe e drejtë. Na dhuro o Zot siguri, paqe, qetësi dhe fe, për ne e për njerëzit tanë, për familjet tona, për baballarët e nënat tona, për bijtë e bijat tona, e për të gjithë njerëzimin e të gjitha kombet, për të gjitha krijesat e krijuara madhërisht prej Teje. Na dhuro o Zot të mirën, në këtë botë e në tjetrën e na mbro nga mundimet e flakëve [të Ferrit].
O Zot, na sill paqen në tokën e paqes, o Zoti i shkëlqimit dhe i nderit, zhduke padrejtësinë nga të shtypurit e kësaj toke, ushqeje popullin tënd, që ka uri, e mbroje nga frika, mbaje larg nga e keqja e nga ata që bëjnë të këqija, nga agresorët e padrejtë, o Zot i Botëve”. 

Pas këtyre tri etapave të lutjes në Kopshtet e Vatikanit, ishte lutja e Papës Françesku dhe e dy presidentëve, atij izraelit, pra hebre e, atij palestinez, pra, mysliman, ndërsa dielli perëndonte e Zotit të Gjithëpushtetshëm i lartoheshin nderime e lavdi, me shpresën që Hyji i paqes të dëgjojë lutjen e përgjëruar për paqe në tokën ku lindi, jetoi, vdiq dhe u ngjall Biri i Tij, për shëlbim të gjithë njerëzimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.