2017-09-30 00:00:00

Shenjtorët e javës më 1 – 8 tetor


 E Diel më 1 tetor,  Kisha katolike kremton të Dielën e 26-të gjatë vitit liturgjik, e po më 1 tetor, sipas kalendari kishtar bie përkujtimi i shën Terezës së Jezusit Fëmijë, virgjër karmelitane, doktore e Kishës e pajtore e misioneve.

Në Ungjillin e kësaj së diele, na tregon njërën prej shëmbëlltyrave më prekëse, atë të Atit të Mëshirshëm. Në  shëmbëlltyrën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusit bën fjalë për një djalë i cili kërkon prej atit pjesën e pasurisë që i takon nga trashëgimia. Merr gjithçka, lë shtëpinë e të atit, dhe fillon një jetë të shfrenuar. Pas pak kohe ky djalë u gjend në një varfëri dhe filloi të reflektojë e t’i vinte keq: “Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu”. Kështu djali i penduar u kthye tek i ati e i kërkoi të falur. I ati e pranoi me krahë hapur. E u bë festë. I ati, duke folur me djalin tjetër, tha: “të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet’ Sa njerëz në mbarë botën, madje edhe ndër ne, janë delja e humbur, janë mëkatarë si shën Pali e shën Agostini, e shumë të tjerë. Prandaj, duhet të kthehemi te Zoti, duhet të kthehemi, të pendohemi dhe të shijojmë përqafimin e Jezusit, plot dashuri e mëshirë.

Të hënën më 2 tetor, bie festa e Engjëjve të Rojës. Kjo e kremte na kujton se Zoti dërgon engjëjt e tij për të na shoqëruar në çdo hap të jetës sonë. Engjëjt e Hyjit mbrojnë posaçërisht më të vegjlit, ata që shoqëria i përbuz e i flak jashtë radhëve të saj

Të martën më 3 tetor, bie përkujtimi i shën Dionizit Areopagitë e shën Gerardit nga Brogne.

Të mërkurën më 4 tetor, kalendari përkujton shën Françeskun e Asizit, themeluesin e Urdhrit të françeskanëve, i mirënjohur dhe i nderuar në trevat shqiptare. Festa e shën Françeskut na kujton se vizioni optimist i Varfanjakut të Asizit për gjithësinë duhet parë si shembull e nxitje edhe në ditët tona, sepse i kundërvihet konceptimit aktual, që duke e parë botën me syrin e fitimit, përpiqet të na bindë se sendet dhe njerëzit vlejnë vetëm atëherë kur na shërbejnë.

Të enjten më 5 tetor, kalendari përkujton Shën Plaçidin e shën Maurin, dishepuj të shën Benediktit, dhe shën Maria Faustina Kovalskën, shpallur shenjte nga Papa Gjon Pali II.

Të premten më 6 tetor, kalendari përkujton Shën Brunon nga Kalabria, meshtar, themelues i Çertozinëve.

Të shtunën, më 7 tetor bie festa e Zojës Rruzare, festë shumë e përzemërt për besimtarët katolikë shqiptarë. Kujtojmë se në trevat shqiptare ka disa Tempuj që i kushtohet Zojës së Bekuar Rruzare, po përmendim atë në Shkodër Kishën te Arra e Madhe dhe Kishën famullitare në fshatin Bishtazhin të Gjakovës, në Kosovës e në vende tjera.

Po më 7 tetor, kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët Sergjin e Bakun, martirë, shumë të nderuar nga populli shqiptar, të cilëve u kushtohet edhe një nga Kishat më të lashta në Shqipëri. Kisha ndodhet jo larg qytetit të Shkodrës, pranë fshatit Shirq, ku lumi Drin bashkohet me Bunën. Muret e saj kanë nisur të ngrihen në shekullin VI për nderim ndaj dy martirëve, emrat e të cilëve në shqip morën trajtat Shën Shirqi e Shën Bahti.

Të dielën e ardhshme më 8 tetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 27-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 8 tetor, kalendari kishtar përkujton shenjtoret Benedikta e Pelageja, virgjëra e martire; shën Feliçin e shën Ugon.








All the contents on this site are copyrighted ©.