Satani i paraqet gjërat si të ishin të mira, por qëllimi i tij është të shkatërrojë njeriun, edhe me arsyetime “humanistike”. Engjëjt luftojnë kundër djallit e na mbrojnë. Kjo qe, me pak fjalë, homelia e Papës Françesku në meshën e mëngjesit, më 29 shtator 2014, në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Kujtojmë se sot kremtohet festa e Shenjtërve Kryeengjëj, Mikeli, Gabrieli e Rafaeli.
Leximet e ditës na paraqesin figura shumë të forta: pamjen e lavdisë së Hyjit,
siç e tregon profeti Daniel, me Birin e Njeriut, Jezu Krishtin, para Atit; luftën
e kryeengjëllit Mikel dhe të engjëjve të tij kundër “dragoit të madh, gjarprit të
lashtë, atij që quhet djall” dhe “bën për vete të gjithë tokën e banuar” por mundet,
siç pohon Apokalipsi; dhe Ungjilli ku Jezusi i thotë Natanaelit: “Do të shihni qiellin
e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut”. Papa
Françesku flet për “luftën kundër djallit e Hyjit”:
“Por kjo luftë shpërthen pasi Satani orvatet të rrënojë gruan që është duke
lindur birin. Satani gjithmonë përpiqet ta shkatërrojë njeriun: atë njeri që Danieli
e shikonte aty, në lavdi, dhe për të cilin Jezusi i thoshte Natanaelit se do të kthehej
me lavdi. Që nga fillimi Bibla na flet për këtë: për dëshirën e Satanit për të shkatërruar.
Ndoshta për shkak të smirës. Në psalmin 8 lexojmë: ‘E bëre njeriun më të lartë se
engjëjt’, dhe inteligjenca e lartë e engjëllit nuk mundi ta mbartte mbi shpatulla
këtë poshtërim, që një krijesë më e ulët të bëhej më e lartë, prandaj u përpoq ta
shkatërronte”.
Satani, pra, orvatet ta shkatërrojë njerëzimin e të gjithë ne:
“Shumë projekte, përveç mëkateve tona, pra shumë, shumë projekte për çnjerëzimin
e njeriut, janë vepër e tij, thjesht sepse e urren njeriun. Është tinëzar: e thotë
Bibla në faqen e parë: është tinëzar. I paraqet gjërat a thua se janë të mira, por
pikësynimi i i tij është rrënimi. E engjëjt na mbrojnë. Mbrojnë njeriun dhe mbrojnë
Njeriun-Hyj, njeriun që është më i lartë, Jezu Krishtin, që është përsosmëria e njerëzimit,
më i përsosuri. Për këtë arsye Kisha i nderon engjëjt, sepse ata do të jenë në lavdinë
e Hyjit – janë në lavdinë e Hyjit – për shkak se mbrojnë misterin e madh e të fshehur
të Hyjit, domethënë se Fjala erdhi në mish”.
“Detyra e popullit të Hyjit – pohoi Papa Françesku – është të ruajë brenda njeriun:
njeriun Jezus” sepse “ai është njeriu që u jep jetë të gjithë njerëzve”. Satani, përkundrazi,
me projektet e veta rrënimtare, shpik “shpjegime humanistike që shkojnë drejtpërdrejt
kundër njeriut, kundër njerëzimit e kundër Hyjit”:
“Lufta është realitet i përditshëm, në jetën e krishterë: në zemrën tonë,
në jetën tonë, në familjen tonë, në popullin tonë, në Kishat tona... Nëse nuk luftojmë,
do të shpartallohemi. Por Zoti ua ka dhënë këtë mjeshtëri kryesisht engjëjve: të luftojnë
e të fitojnë. E kënga përmbyllëse e Zbulesës, pas kësaj lufte, është shumë e bukur:
‘Tani u përmbush shpëtimi, forca e Mbretëria e Hyjit tonë dhe fuqia e Krishtit të
tij, sepse u plandos paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padiste para Hyjit tonë ditë
e natë’”.
Në fund, Papa Françesku bëri thirrje t’i lusim kryeengjëjt Mikel, Gabriel e Rafael
e “të themi lutjen e lashtë, por shumë të bukur, drejtuar kryeengjëllit Mikel, që
të vijojë të luftojë, për të mbrojtur misterin më të madh të njerëzimit: që Fjala
u bë Njeri, vdiq e u ringjall. Ky është thesari ynë. Të lutemi që ai të vijojë të
luftojë për ta ruajtur”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |