2017-09-28 14:10:00

Papa në Shën Martë: brerja e ndërgjegjes është shenjë shpëtimi


Të mos kemi frikë të themi të vërtetën për jetën tonë, duke i pranuar mëkatet e duke ia rrëfyer Zotit, që të na i falë. Kjo qe këshilla e sotme e Papës Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë reflektoi mbi Ungjillin sipas Lukës, që tregon për regaimin e Herodit ndaj predikimit të Krishtit.

Papa kujtoi se disa e ngatërronin Jezusin me Gjon Pagëzuesin dhe me Elinë, të tjerët e quanin profet. Herodi nuk dinte ç’të mendonte, por ndjente brenda vetes diçka, që nuk ishte kuriozitet, vërejti Françesku. Atë e vriste ndërgjegjja dhe e kërkonte Jezusin për t’u qetësuar shpirtërisht. Donte t’i shihte mrekullitë e Krishtit e nuk ia ndjeu zemra ta dënonte, por ia dorëzoi Pilatit: e Jezusi pagoi me vdekje. Kështu, Herodi e mbuloi brerjen e ndërgjegjes me një krim tjetër; u soll si ai që vret nga frika. Por brerja e ndërgjegjes është plagë, theksoi Papa, nuk shërben vetëm për të na kujtuar diçka:

“Plagë që, kur kemi bërë keq në jetë, na dhemb. Por është plagë e fshehur, nuk shihet; as unë vetë nuk e shoh, sepse mësohem ta mbart e pastaj, anestetizohet. Është aty, ndokush edhe e prek, por plaga është aty brenda. E kur ajo plagë na dhemb, na bren ndërgjegjja. Jo vetëm jam i vetëdijshëm se kam bërë keq, por e ndjej: e ndjej në zemër, e ndjej në trup, në shpirt, e ndjej në jetë. E që këndej, tundimi për ta mbuluar, që të mos e ndjej më”.

Prandaj, theksoi Papa Françesku, është hir prej Zotit kur dëgjojmë se ndërgjegjja na akuzon, na thotë se diçka nuk shkon. Nga ana tjetër, vërejti Ati i Shenjtë, askush nuk është shenjt e të gjithë i shohim mirë mëkatet e “të tjerëve”, po jo tonat:

“Ne duhet – më lejoni të them – ‘ta pagëzojmë’ plagën, pra, t’i japim një emër. Ku e ke plagën? ‘Si t’ia bëj o atë, për ta nxjerrë jashtë?’ – ‘Para së gjithash, lutu: o Zot, kij mëshirë për mua, që jam mëkatar’. Zoti e dëgjon lutjen. Pastaj, e shqyrton jetën tënde. ‘Në se nuk e shoh si e ku është ajo dhimbje, nga vjen, sepse është simptomë, si t’ia bëj?’ – ‘Kërkoji ndihmë ndokujt, që është në gjendje të të japë një dorë për të dalë; duhet të dalë në pah plaga e pastaj quaje me emër’. Mua më bren ndërgjegjja, sepse kam bërë këtë gjë, konkretisht. E kjo është përvujtëria e vërtetë para Zotit e Hyji mallëngjehet para plagës konkrete”.

Kështu shprehen fëmijët në rrëfim, konrektisht, shpjegoi Papa. Thonë pa hile ç’kanë bërë dhe pse e kanë bërë, që të dalë në pah e vërteta. Vetëm kështu shërohet njeriu:

“Të mësojmë shkencën, urtinë për ta vënë veten përballë së vërtetës: unë akuzoj vetveten, ndjej dhimbjen e plagës, bëj gjithçka për të ditur nga vjen kjo simptomë e pastaj, akuzoj vetveten. Mos kij frikë nga brerjet e ndërgjegjes: janë shenja shpëtimi. Mos i mbulo, mos i zbukuro, mos i tjetërso, mos i fshih… kjo po! Përkundrazi, të jeni të qartë. E kështu, Zoti të shëron”.

 Papa Françesku iu lut, së fundi, Hyjit, të na japë hirin për të pasur guximin që ta akuzojmë vetveten, duke e vënë ndërgjegjen përballë së vërtetës, në mënyrë që të ecim në udhën e faljes.








All the contents on this site are copyrighted ©.