2017-09-27 15:51:00

Sinodi, atë Zef Pllumi e mons. Henry Veldkamp: me ne, imzot George Frendo


Kohë e pasur me veprimtari për kryedioqezën metropolite të Tiranë-Durrësit. Sapo u shpall dekreti për sinodin e parë dioqezan pas komunzimit, që do të mbahet në tetor 2018 e do t’i kushtohet ungjillëzimit të ri. Gjithashtu, të shtunën e të dielën, në kishën katedrale të Shën Palit do të hapet ekspozita kushtuar atë Zef Pllumit, në 10-vjetorin e vdekjes. Vizitorët do të mund të shohin dorëshkrimet dhe sendet personale të autorit të “Rrno vetëm për me tregue”, libër-denoncim e dëshmi e epokës komuniste dhe e persekutimit që ushtroi në Shqipëri. Ndër to, edhe dorëshkrime të atë Gjergj Fishtës, françeskanit tjetër të madh të letrave shqipe.

         Po në Tiranë, pavarësisht se jo e organizuar nga Kisha Katolike, është hapur që nga data 25 shtator edhe një ekspozitë tjetër kushtuar atë Zef Pllumit. Quhet “In memoriam – At Zef Pllumi” dhe është pjesë e veprimtarive kulturore në vijim të “Viti i kujtesës”, shpallur në muajin janar në Bibliotekën Kombëtare Shqiptare. Hapja e ekspozitës vijoi me Forumin “Át Zef Pllumi – dëshmi”, me pjesëmarrjen e intelektualëve dhe personaliteteve të ndryshme, që ndanë me të pranishmit dëshmi dhe kujtime personale të takimeve me At Zef Pllumin. Gjatë këtij forumi, At Viktor Demaj paraqiti botimin e veprës së plotë të At Zef Pllumit, nga “Botimet françeskane”. Ndër vëllimet e veprës botohen për herë të parë disa shkrime të panjohura të tij.

         Duke u kthyer në veprimtaritë e kryedioqezës Tiranë- Durrës, përmendim edhe shpalljen e don Henry Veldkamp, kapelan i Atit të Shenjtë. Me këtë rast, ai merr titullin “monsinjor”. Por le të kthehemi tek sinodi i ardhshëm dioqezan, për të cilin, në mikrofonin e don David Xhuxhës, flet vetë kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo…

 








All the contents on this site are copyrighted ©.