2017-09-27 13:17:00

Papa paraqet fushatën e Karitasit: emigrantët duhen pritur krahëhapur


Papa Françesku përuroi sot paradite fushatën “Share the journey” (Të ecim së bashku), organizuar nga Karitasi Ndërkombëtar për të favorizuar kulturën e takimit si në bashkësitë e origjinës së emigrantëve, ashtu edhe në bashkësitë, ku emigrantët qëndrojnë për pak kohë apo ku vendosin të jetojnë. Pas katekizmit të audiencës së përgjithshme, Ati i Shenjtë bëri një thirrje të fuqishme, duke nënvizuar se “është vetë Krishti, që na kërkon t’i mirëpresim vëllezërit e motrat tona emigrantë e refugjatë”.

         “I bukur, emri i fushatës suaj” u tha Papa vullnetarëve të Karitasit, emigrantëve dhe refugjatëve, duke i falenderuar për praninë e për shërbimin e tyre. I ftoi të gjithë të pranishmit t’u bëjnë atyre një duartrokitje të stuhishme.

         “Me impenjimin tuaj të përditshëm – theksoi – ju na kujtoni se vetë Krishti na kërkon t’i mirëpresim vëllezërit e motrat emigrante e refugjate me krahët mirë të hapura. T’i presim kështu, krahëhapur. Kur krahët hapen – nënvizoi Papa – janë gati për një përqafim të sinqertë, për një përqafim plot dashuri, për një përqafim të plotë, pak si ky elips shtyllash në Sheshin e Shën Pjetrit, që përfaqëson Kishën nënë, e cila përqafon të gjithë në udhën e përbashkët”.

         Së fundi, Papa shpjegoi edhe veprimtarinë kryesore të kësaj dite në Itali: mbledhjen e firmave për një ligj të ri mbi emigracionin, që t’i përshtatet më mirë situatës aktuale.

Nisma me temë “Isha i huaj – humaniteti, që bën mirë” synon kapërcimin e ligjit aktual Bossi-Fini dhe miratimin e një ligji, në të cilin qeverisja e emigracionit të bëhet duke investuar në punësimin e gjithëpërfshirjen e emigrantëve. Pjesë e rëndësishme e integrimit konsiderohet edhe dhënia e nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve, lindur e rritur në Itali, i ashtuqaujturi “ius soli”, për të cilin akoma nuk janë siguruar votat në parlament. Mbledhja e firmave është organizuar jo vetëm nga Karitasi, por edhe Fondacioni “Shtëpia e Bamirësisë Angelo Abriani”, nga një sërë shoqatash e sindikatash katolike italiane, nga Qendra e jezuitëve për refugjatët “Astalli”, nga Fondacioni “Migrantes”, Bashkësia e Shën Egjidit dhe nga Radikalët italianë.








All the contents on this site are copyrighted ©.