2017-09-27 14:20:00

Papa në një mesazh: shën Vinçenc de Paoli vijon t’i flasë Kishës


“Shembulli i bamirësisë së shën Vinçencit de Paoli, që sot e përkujtojmë si Pajtor të shoqatave të bamirësisë, ju frymëzoftë juve, të dashur të rinj, t’i zbatoni projektet e së ardhmes me një shërbim plot gëzim e pa interes për më nevojtarët”.Janë këto, fjalët e Papës Françesku gjatë audiencës së përgjithshme, kur përshëndeti shtegtarët e gjuhës italiane. Sot, pikërisht Familjes vinçenciane i drejtoi një mesazh të gjatë falenderimi dhe urimi për 400-vjetorin e karizmës, e cila u ka dhënë jetë institucioneve dhe shoqatave, që e përbëjnë.

Në mesazh, Papa përvijon figurën e shën Vinçencit, që “ka jetuar gjithnjë për udhë, në kërkim të Zotit e të vetvetes”. “Në një takim të shndritshëm me Jezusin në të varfërit”, shenjti ndjeu thirrjen e Zotit, që e ftonte të mos jetonte më për veteven, por t’i shërbente Hyjit pa rezerva, në të varfërit, të cilët duhej t’i njihte si zotër e pronarë. Ai, kujton Françesku, themeloi ato qendra, që u quajtën “Karitas”, ku kujdeseshin për nevojtarët, duke jetuar së bashku me ta. Një “farë sinapi”, shkruan Papa duke pasur në mendje Ungjillin, që u mboll në vitin 1617 dhe u bë pemë e madhe me kalimin e kohës.

“Në zemrën e Familjes vinçenciane është kërkimi i më të mjeruarve e i më të braktisurve” – nënvizon Ati i Shenjtë, ndërsa i këshillon anëtarët e saj ta ngulin gjithnjë vështrimin mbi shkëmbin, nga i cili nisi gjithçka, për të vazhduar ta çojnë freskinë e zanafillës në periferitë e sotme të botës. E ky shkëmb është “Jezusi i varfër, që kërkon ta njohim në të varfërin e në atë, që s’ka zë”. Nga ky shkëmb duhet të pijmë të gjithë për t’ia shuar etjen botës me dashurinë, që lind prej Tij. “Dashuria është në zemër të Kishës, është arsyeja e veprimit të saj, shpirti i misionit të saj”, thekson Papa.

Shën Vinçenc de Paoli vazhdon t’i flasë Kishës. “Dëshmia e tij – shkruan Ati i Shenjtë – na fton të jemi gjithnjë për udhë, na kërkon të jemi të vegjël”, por krijues në dashurinë e krishterë, “gjithnjë e më e nevojshme sot, në një shoqëri të ndërlikuar e të globalizuar, që ndryshon vazhdimisht, ku disa forma të lëmoshës e të ndihmës, pavarësisht nga ndjeti i mirë, ka rrezik të ushqejnë forma të shfrytëzimit të paligjshëm e të mos sjellin përfitime të vërteta e të qëndrueshme”.

Të krishterët duhet t’i prekin me dorë të varfërit, nënvizon Papa Françesku, sepse përndryshe krishterimi i tyre nuk është më i mishëruar, pasi i paaftë të prekë korpin e Krishtit. Në fund të mesazhit, Ati i Shenjtë ripropozon fjalët e shkruara për Ditën e parë Botërore të të Varfërve, që do të kremtohet për herë të parë në histori, sivjet, më 19 nëntor. Papa uron që kjo Ditë ta ndihmojë Kishën “të ndjekë Krishtin e varfër, duke u bërë gjithnjë e më shumë dhe më mirë shenjë e dashurisë së Krishtit për të fundmit e për nevojtarët, në kundërshtim me kulturën e hedhurinave dhe të shpërdorimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.