2017-09-26 12:23:00

Papa në Shën Martë: familjariteti me Krishtin na bën të lirë


“Ata, që e dëgjojnë Fjalën e Zotit dhe e zbatojnë në praktikë”: kjo është familja për Jezusin, familje “më e gjerë, në krahasim me atë ku njeriu lind”. Ky ishte komenti i parë i Papës Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë mori shkas nga Ungjilli sipas Lukës, ku pikërisht Krishti quan “nënë”, “vëllezër” e “familje” ata, që e rrethojnë dhe e dëgjojnë predikimin e Tij. Kjo, vërejti Papa, na bën të mendojmë se familjariteti me Zotin e me Krishtin, që është diçka më tepër se të jesh “dishepull”, ose “mik”, nuk është qëndrim “formal”, as “plot edukatë” e as “diplomatik”. E atëherë, “ç’do të thotë kjo fjalë, që etërit shpirtërorë të Kishës e kanë përdorur e na e kanë mësuar edhe neve?”

Të hyjmë në shtëpinë e Jezusit

         Do të thotë, para së gjithash, shpjegoi Papa Françesku, “të hyjmë në shtëpinë e Jezusit: të hyjmë në atë atmosferë, ta jetojmë atë atmosferë, që ndjehet në shtëpinë e Jezusit. Të jetojmë aty, të kundrojmë, të jemi të lirë, aty. Sepse bijtë janë të lirë, ata që banojnë në shtëpinë e Zotit janë të lirë, ata, që kanë familjaritet me të janë të lirë. Të tjerët, nëse përdorim një fjalë të Biblës, janë ‘bijtë e skllaves’, të themi kështu, janë të krishterë, që nuk guxojnë të afrohen, nuk guxojnë të krijojnë familjaritet me Zotin, mbajnë distancën, që i ndan nga Zoti”.

Të rrimë me Jezusin

         Por, familjaritet me Jezusin, siç na mësojnë shenjtorët e mëdhenj, vijoi më tej Papa Françesku, do të thotë edhe “të rrish me Të, ta shohësh, ta dëgjosh Fjalën e Tij, të përpiqesh ta zbatosh, të flasësh me Të”. E fjala është lutje, nënvizoi Ati i Shenjtë: “ajo lutje, që bëhet edhe udhë: ‘O Zot, si e mendon Ti?’ Ky është familjariteti, apo jo? Gjithmonë. Shenjtorët e kishin këtë. Shën Tereza thoshte bukur se e shihte Zotin gjithandej, kishte familjaritet me Zotin dhe e shihte edhe në mesin e kusive në kuzhinë. Kështu ishte! Familjaritet me Zotin”.

Të mbetemi  në praninë e Jezusit

         E së fundi, theksoi Papa, familjaritet me Zotin do të thotë “të mbetesh” në praninë e Jezusit, ashtu siç na këshillon Ai vetë në Darkën e Mbrame, ose siç na kujton në fillim të Ungjillit, kur shën Gjoni thotë: ‘ky është Qingji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës. E Andrea e Gjoni shkuan pas Jezusit” e, siç është shkruar, “mbetën, ndenjën me Të gjithë ditën”.

         Ky është pra familjariteti, që ndryshon nga ai i të krishterëve të mirë, të cilët mbajnë distancë me Jezusin: Ti je atje e unë këtu, nënvizoi Papa. Së fundi, Ati i Shenjtë i kërkoi secilit: “të japë shembullin në këtë qëndrim familjar me Jezusin. I krishteri, i cili, me gjithë problemet e veta, shkon me autobus e me metro dhe flet shpirtërisht me Zotin, ose së paku, e di se Zoti e shikon, është afër me Të: ky është familjariteti, afërsia, që do të thotë të ndjehesh familje e Jezusit. Të lutemi të gjithë për këtë hir, që të kuptojmë ç’do të thotë familjaritet me Zotin. Zoti na dhashtë këtë hir”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.