2017-09-26 16:00:00

Fondacioni Ratzinger: nisma të reja mbi arsyen dhe “Laudato si’”


Nismat e ardhshme të Fondacionit Joseph Ratzinger ishin sot në qendër të konferencës për shtyp në Vatikan, në të cilën mori pjesë kreu i Këshillit Papnor për Kulturën, kardinali Gianfranco Ravasi. Folën një sërë personalitetesh, duke filluar nga presidenti i Fondacionit, atë Federico Lombardi.

Nisma e parë, që u paraqit sot, ndërmerret edhe për herë të parë. Është fjala për Çmimin “Arsyeja e Hapur”, në bashkëpunim me Universitetin Francisco de Vitoria të Madridit, çmim, që do të jepet nesër në Akademinë e Shkencave në Vatikan. Fituesit janë dy punonjës shkencorë për punën kërkimoro-shkencore në këtë fushë, si edhe dy pedagogë.

Nisma e dytë është Çmimi Ratzinger, i mirënjohur tashmë, në edicionin e tij të shtatë. Do t’u jepet tre studiuesve, dy teologëve katolikë dhe një kompozitori ortodoks, në Vatikan, më 18 nëntor.

Ndërkaq, nisma e tretë e Fondacionit, që mban emrin e Papës së nderit Benedikti XVI, është Kongresi VII ndërkombëtar i studimeve, që këtë vit i kushtohet Enciklikës “Laudato si’” të Papës Françesku. Do të mbahet nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor në San José të Kosta Rikës, në bashkëpunim me Universitetin Katolik të vendit. Parashikohet përcaktimi i një sërë treguesish mbi bazën e kritereve të Enciklikës, si edhe themelimi i një Observatori. Synimi është analizimi i gjendjes ambientale në vende të ndryshme, duke parë përgjigjet e çdo shteti ndaj këshillave të “Laudato si’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.