2017-09-25 13:01:00

Papa në Shën Martë: ngushëllimi nuk është argëtim, por paqja e Zotit


Lutje për Zotin që të na mësojë të priremi drejt shëlbimit. Kështu, Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë komentoi Leximin e parë të liturgjisë së sotme, që tregon çastin kur populli i Izraelit u rikthye në Jeruzalem nga mërgimi, pasi Zoti e vizitoi. Fjala “vizitë”, shpjegoi Papa, është shumë e rëndësishme në historinë e shëlbimit, sepse “çdo çlirim, çdo vepër shëlbimi e Zotit, është vizitë”:

         “Kur Zoti vjen për vizitë na jep gëzim, pra, na krijon një gjendje ngushëllimi. Kjo korrje e fryteve me gëzim… Vërtet, kanë mbjellur me lot, por tani, Zoti na ngushëllon shpirtërisht. Sepse, ngushëllimi nuk ndodh vetëm në atë kohë, është gjendje e jetës shpirtërore për çdo të krishterë. Krejt Bibla na e mëson këtë”.

Zoti na dhuron atë gëzim, që s’mund të blihet

         Papa Françesku na nxit ta presim gjithnjë vizitën e Zotit. Ka çaste, që e ndjejmë më shumë, ka çaste, që e ndjejmë më pak, por Zoti bën ta kuptojmë praninë e Tij gjithmonë, duke na mbushur me gëzim. Prandaj, duhet ta presim vizitën e Tij me shpresë, që është virtyti më i përvujtë, nënvizoi Ati i Shenjtë, por shpesh është më i fuqishmi, megjithëse fshihet si prushi nën hi. Kështu, i krishteri jeton gjithnjë i prirur kah takimi me Hyjin, duke kërkuar ngushëllimin që vjen prej tij. Nëse nuk është kështu, theksoi Papa Françesku, të krishterët mbyllen në një lloj “magazine të jetës”, pa ditur ç’të bëjnë. Gjithsesi, tërhoqi vëmendjen Ati i Shenjtë, duhet ta njohim ngushëllimin, që vjen prej Zotit, sepse ka edhe profetë të rremë. Zoti na dhuron atë gëzim, që s’mund të blihet:

         “Ngushëllimi i Zotit na prek brenda e na pështjellon, na jep shtysën e bamirësisë, të fesë, të shpresës, na bën të vuajmë për mëkatet. E kur shohim Jezusin dhe Mundimet e Krishtit, na bën të derdhim lot për Të… Gjithashtu, ta larton shpirtin në Qiell, për gjërat e Zotit e, ta qetëson në paqen e Hyjit. Ky është ngushëllimi i vërtetë. Nuk është argëtim – argëtimi nuk është gjë e keqe, kur bëhet mirë; jemi njerëz, duhet të argëtohemi – por ngushëllimi të rrëmben dhe ti e ndjen praninë e Zotit, e njeh: ky është Hyji”.

Paqja është niveli i fundit i ngushëllimit të Zotit

         Papa kujtoi se Zoti duhet falenderuar me lutje, pasi ai na bën vizitë për të na ndihmuar të ecim përpara, për të shpresuar, për të na ndihmuar të bartim, secili, kryqin e vet. E ky ngushëllim i Hyjit duhet ruajtur mirë në zemër, këshilloi Papa Françesku:

         “Është e vërtetë, ngushëllimi është i fuqishëm, është një çast, por lë gjurmë. E ruajtja e këtyre gjurmëve do të thotë ruajtje e kujtesës; duhet ruajtur kujtesa, ashtu si populli hebre, i cili e ruajti kujtesën e çlirimit nga zgjedha e Egjiptit. U kthye në Jeruzalem, sepse Hyji e çliroi. Ta presim, pra, ngushëllimin, ta njohim atë e ta ruajmë fort. Çfarë mbetet kur kalon ky çast i fuqishëm? Paqja. E paqja është niveli i fundit i ngushëllimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.