2017-09-25 00:00:00

Atë Zef Pllumi OFM në 10-vjetorin e vdekjes


Më 25 shtator bie 10-vjetori i kalimit në amshim të françeskanit shqiptar Atë Zef Pllumit. Ky dëshmitar i paepur i Zotit dhe i kombit na la  faqe të mrekullueshme të historisë së Ungjillit të shpresës e të qëndresës së vërtetë shqiptare.

Hyji Atë e thirri pranë vetes shumë të dashurin Atë Zef Pllumin, si sot më 25 shtator 2007 në spitalin romak “Gemelli”, por në mendje e në zemrat tona si dhe të atyre që e kanë njohur nga afër, ky gjigand i Kishës e i Kombit Shqiptar, është i gjallë përgjithmonë. Edhe ne të redaksisë shqipe pranë Radio Vatikanit, ruajmë jo pak kujtime personale të paharrueshme të takimeve e bisedave që kemi pasur me Atë Zef Pllumin, gjatë qëndrimit të tij në Romë e në Vatikan si dhe gjatë vizitave tona në Shkodër e në Shqipëri.

Me  rastin e përvjetorit të kalimit të tij në shtëpinë e Atit Qiellor, duam të vëmë edhe një herë në dukje, dëshminë e shndritshme të fesë, të kulturës e të atdhedashurisë që na la ky Patër Françeskan heroik – siç paraqitej me shumë dashamirësi Atë Zef Pllumi. Nuk do të harrojmë dëshminë tejet të çmueshme të atij kalvari, pjesë e të cilit ishte edhe personalisht Atë Zefi, që përjetoi populli shqiptar, kisha, kleri e Vendi mbarë në periudhën e errët të diktaturës komunist në Shqipëri. Nuk do ta harrojmë aftësinë e tij të leximit të së kaluarës e të së sotmes dhe të dialogut e të afërsisë që kishte me gjithkënd.

Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta tokësore, Atë Zef Pllumin e kujtojmë me admirim e mirënjohje, ndërsa në mendje tonë na kthehen vizionet e tij të mëdha, plotë shpresë, plotë dashuri e fuqi ungjillore që ua transmetonte të gjithëve. Atë Zef Pllumi ende sot mungon, i mungon Etërve Françeskanë, i mungon Kishës, i mungon botës së kulturës dhe shoqërisë shqiptare për vlerat që mishëronte e dëshmonte me bindje e thjeshtësi, me kujtesë të saktë e largpamësi.  Ai u konsiderua me të drejtë si ndërgjegjja e një treve dhe historie të tërë.

Jeta dhe veprimtaria e At Zef janë histori feje, qëndrese, shprese, pra histori vëllazërimi, dokument historik, dëshmi e dokument me vlera të mëdha që na mundëson të shohim imtësisht atë çka ndodhi në Shqipëri gjatë regjimit të diktaturës ateiste komuniste. Personalisht pati një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica, por gjithmonë e kurdoherë besnik ndaj Fjalës së Zotit dhe bindjeve të fesë, ideve kulturore e kombëtare, të cilat diti t'i ruaj për rreth tre dekadave të burgjeve komuniste dhe t’i sjell nga errësira në dritë, nga vuajtja në liri, nga vdekja në ringjallje, siç dëshmoi personalisht Atë Zefi edhe në mikrofonin e Radio Vatikanit. Në këtë përvjetor, ja një dëshmi e Agron Gjekmarkaj mbi françeskanin Atë Zef Pllumi....








All the contents on this site are copyrighted ©.