2017-09-22 17:37:00

Shenjtorët e javës më 24 shtator – 1 tetor


E diel 24 shtator, Kisha katolike kremton të Dielën e 25-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 24 shtator, kalendari kujton të Lumen Mari Virgjër nga Merçede, shën Anatalin. Në Ungjillin e kësaj së diele, na tregon njërën prej shëmbëlltyrave më të sakta mbi marrëdhëniet ndërmjet Zotit e çdonjërit prej nesh. Është shëmbëlltyra që na flet për pronarin e një vreshte që kërkon punëtorë për vreshtën e tij. Ky fragment na mëson se dashuria e Zotit është absolute, falas, e lirë e nuk mund të llogaritet, nuk mund të parashikohet, as të matet, ajo e mëshirshme dhe e pakufishme.

Të hënën më 25 shtator, kalendari kujton shën Kleofën, shën Firminin, ipeshkëv i Amiensit e martir. Liturgjia e kësaj dite na kujton se njeriu nuk mund të shikojë në errësirë, se kërkon dritë e, prej këndej, se i krishteri, me shembullin e jetës së tij, është i thirrur të jetë dritë në errësirën e botës, që të gjithë të mund ta shikojnë Jezu Krishtin.

Të martën më 26 shtator, kalendari kujton shenjtorët Kozmain e Damjani, martirë dhe shën Nilin, abat, themelues i manastirit të Grottaferratës, afër Romës. Këtu e në manastire tjera të Etërve Bazilianë jetojnë e veprojnë murgjit e shën Bazilit, të ritit bizantin. Ndër këta murgjër të shën Bazilit, ka edhe shumë arbëreshë. Liturgjia e kësaj dite na kujton se Zoti e do popullin e vet, se i prin drejt së vërtetës, drejt jetës së Amshuar. Zoti zgjedh në histori figura të veçanta për t’i dhënë popullit të vet mesazhe të fuqishme.

Të mërkurën më 27 shtator, kalendari kishtar kujton shën Vincenc de' Paolin, meshtar, themelues i Kongregatës së Misioneve e të Bijave të Dashurisë, pajtor qiellor i të gjitha Shoqatave të Bamirësisë. Në Ungjillin e kësaj dite, Jezusi na mëson si duhet të përdorimin pasurinë materiale. Kush është rob i pasurisë nuk mund të jetë besnik ndaj detyrave të veta të krishtera. Të mirat dhe pasurinë duhet të dimë t’i përdorim me urti, bujari, liri e shkëputje. 

Më enjten më 28 shtator, Kisha kujton solemnitetin e Shën Vençeslaut, pajtor qiellor i kombit çek, të cili i la një trashëgiminë të çmueshme shpirtërore. Përmes liturgjisë së kësaj dite Jezusi na kërkon t’i pastrojmë zemrat, për të zhdukur prej tyre çdo gjë që na pengon në ecjen drejt Tij. Duke u çliruar nga barrët e panevojshme, mund t’i lartojmë më lehtësisht sytë drejt qiellit e ta ndjejmë veten shumë më të lirë.

Më premten më 29 shtator, Kisha katolike përkujton tre Kryeengjëjt: Mikelin (ai që ndihmon), Gabrielin (ai që mbron) e Rafaelin (ai që shëron) për të cilët flitet qartë në Shkrimin Shenjt, ku shënohen edhe detyrat që kryejnë: Kryeengjëlli Mikel është kryetari i aradheve qiellore; Gabrieli është lajmëtar e Rafaeli, prijës i shtegtarëve.

Më shtunën më 30 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës. Një nga figurat më të shquara të Kishës katolike gjatë shekujve të parë mbas ediktit kostandinian, Shën Jeronimi qe polemist i mprehtë, skripturist i thellë dhe punëtor i palodhshëm. Në liturgjinë e ditës, Jezusi na mëson si duhet të përdorim pasurinë materiale. Kush është rob i pasurisë nuk mund të jetë besnik ndaj detyrave të veta të krishtera. Të mirat dhe pasuritë duhet të dimë t’i përdorim me urti, bujari, liri e shkëputje.

Të dielën e ardhshme më 1 tetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 26-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 1 tetor, kalendari përkujton edhe shën Terezën e Krishtit Fëmijë, rregulltare e klauzurës nga Lisië, Doktore e Kishës dhe Pajtore qiellore e misioneve. Vinte te këmbët e Kryqit vuajtjet e saj, si flije shpërblimi për shpirtrat e mëkatarëve. Është shenjta e dialogut dhe e buzëqeshjes. Duke vdekur, la pas vetes, gjithmonë të gjallë, mesazhin e madh "të rrugës së vogël" përmes së cilës mund të arrihet deri te Krishti.

Shëmbëlltyra e Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu, pra, na komunikon konkretisht sjelljet dhe qëndrimet e Zotit ndaj nesh








All the contents on this site are copyrighted ©.