2017-09-22 14:07:00

Emigrantët: Papa, bashkësitë katolike nuk përjashtohen nga ksenofobia


Denoncim i fuqishëm për inkoherencën e shumë besimtarëve e madje, edhe të disa kishave lokale, para fenomenit të emigracionit: ky qe fjalimi i Papës Françesku për përgjegjësit e baritorisë së emigracionit në Konferencat Ipeshkvnore Evropiane, të cilët i priti sot në Vatikan.

“Më shqetëson edhe më shumë – u tha Papa, pasi foli për ‘mbyllje’ nga ana e shumë qeverive të Bashkimit Evropian – konstatimi i trishtë se edhe në bashkësitë tona katolike në Evropë nuk mungojnë reagimet për t’u mbrojtur e për t’i hedhur jashtë [emigrantët], justifikuar nga e ashtuquajtura ‘detyrë morale’ për të ruajtur identitetin personal kulturor e fetar”.

“Kisha – kujtoi Ati i Shenjtë – u përhap në të gjitha kontinentet falë ‘emigrimit’ të misionarëve, që ishin të bindur për universalitetin e mesazhit të shëlbimit të Jezu Krishtit për burrat e gratë e çdo kulture”. “Duke i dëgjuar vazhdimisht Kishat e veçanta në Evropë – vërejti Papa Françesku – e kam ndjerë shqetësimin para mbërritjes masive të emigrantëve dhe të refugjatëve”.

Ky shqetësim, vijoi Papa, duhet pranuar e kuptuar në dritën e një çasti historik, karkaterizuar nga kriza ekonomike, që ka lënë plagë të thella. Kanë ndryshuar edhe flukset e emigracionit, si nga volumi, ashtu edhe nga përbërja e tyre. Gjithashtu, shoqëritë ku shpesh shkojnë emigrantët janë të papërgatitura për t’i pritur e shpesh, kanë politika të papërshtatshme për integrimin e tyre. Kjo, edhe në nivel evropian.

“Por ky shqetësim – vazhdoi analizën e tij Papa Françesku – tregon edhe për kufizimet e procesit të bashkimit evropian, për pengesat me të cilat duhet të përballet zbatimi konkret i universalitetit të të drejtave të njeriut, për muret me të cilat përplaset humanizmi i gjithanshëm, që përbën një nga frytet më të bukura të qytetërimit evropian. E për të krishterët, e gjithë kjo duhet interpretuar përtej imanentizmit laicist (të punojmë sot për sot), me logjikën se njeriu është në qendër, është krijuar nga Zoti si unik dhe i papërsëritshëm”.

Sipas Papës Françesku, “në historinë e Kishës nuk mungojnë tundimet e ekskluzivizmit dhe të mbylljes kulturore, por, Shpirti Shenjt na ka ndihmuar gjithnjë t’i kapërcejmë, duke garantuar hapjen e vazhdueshme ndaj tjetrit, konsideruar si mundësi konkrete zhvillimi dhe pasurimi”.

“Shpirti Shenjt – përfundoi Papa Françesku – jam i sigurtë se na ndihmon edhe sot të mbajmë një qëndrim të hapur e plot besim, i cili na lejon të kapërcejmë çdo pengesë, t’i ngjitemi çdo muri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.