2017-09-21 11:48:00

Nënshkruhet Konventa ndërmjet Sekretarisë për Komunikimin dhe Shoqërisë së Jezusit


U nënshkrua sot paradite, konventa ndërmjet Sekretarisë për Komunikimin dhe Shoqërisë së Jezusit. “Kjo firmë vihet pak ditë pas 100-vjetorit të atë Stefanizzi-t – deklaroi prefekti i dikasterit vatikanas, imzot Dario Edoardo Viganò. – Atë Stefanizzi – kujtoi – ka qenë drejtor i Radio Vatikanit gjatë viteve të Koncilit II të Vatikanit: ngjarje, për të cilën duhej të informoheshin njerëz, që nuk e njihnin as latinishten, as teologjinë. Duke u nisur nga ky këndvështrim, pra, atë Stefanizzi përvijoi modelin ‘user first’, duke u dhënë përparësi përdoruesve të komunikimit, sot, në qendër të reformës së mediave të Vatikanit, dashur nga Papa Françesku”.

“Atë Stefanizzi – vijoi imzot Viganò – diti të bashkojë ç’ndodhte brenda sallës konciliare me atë, që duhej të dinin njerëzit, me qëllim që të shmangej një interpretim i dyfishtë ‘brenda’ e ‘jashtë’ Koncilit, vënë në dukje disa herë si nga Papa Benedikti XVI, ashtu edhe nga Papa Françesku”.

Prefekti i Sekretarisë për Komunikimin shprehu mirënjohjen e tij, personale e të gjithë dikasterit, për Shoqërinë e Jezusit, me të cilën, gjatë një viti e gjysëm, filloi një punë shqyrtimi dhe rimendimi të pranisë së jezuitëve, jo më brenda Radio Vatikanit, por në një realitet shumë më të madh. Me nënshkrimin e Konventës, Shoqëria e Jezusit tregon gatishmërinë e saj për këtë shërbim, në përkim me misionin apostolik në botën e komunikimit. Imzot Viganò njoftoi edhe për mirënjohjen e kënaqësinë e Papës për këtë formë të re bashkëpunimi, brenda procesit të reformës.

“Po kryejmë një akt bindjeje ndaj Atit të Shenjtë, duke ndjekur kriteret e përcaktuara prej tij – përfundoi imzot Viganò. – Bashkëpunimi i ri do të japë shumë fryt, sepse kur përjetohet një shërbim në Kishë, shkohet përtej kënaqësisë personale. Shërbimi shkon përtej secilit prej nesh e urojmë që profesioni të jetohet ‘sipas mënyrës së Zotit’: nuk jemi vetëm profesionistë, por profesionistë të mirë të shndërruar në përvojën e misterit të Zotit”.

 “Kohët ndryshojnë”, deklaroi, nga ana e tij, delegati i Shoqërisë së Jezusit, atë Juan Antonio Guerrero Alves: “bën pjesë në thirrjen e Shoqërisë së Jezusit t’i shërbejë Kishës, ashtu siç na kërkon Kisha. Kontributi ynë në fushën e komunikimit na bën të lumtur, sepse mund të japim ndihmesën tonë në reformat e dashura nga Ati i Shenjtë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.