2017-09-21 00:00:00

Filozofi Alberti mbi korrupsionin: të ndryshohet mendësia


Një nga sfidat e mëdha të papnisë së Françeskut është lufta kundër korrupsionit. Pas debatit ndërkombëtar në qershor, në Vatikan, dhe pas publikimit të dokumentit përfundimtar në gusht, puna vazhdon në territor, me nisma e propozime konkrete për të ndryshuar mendësinë e njerëzve. “Sot, është themelore të aktivizojmë modele sjelljeje: në politikë, në profesione të ndryshme e në çdo lloj fushe duhet të dalë në pah një qëndrim serioz, jo vetëm moral, por edhe intelektual”. Fraza e fundit është e filozofit italian Vittorio V. Alberti, i intervistuar nga agjencia katolike Sir.

Në dokumentin e Vatikanit mbi korrupsionin flitet edhe për shkishërimin e të korruptuarve, një masë, që po diskutohet tani në nivelin lokal. Filozofi Alberti ka shkruar së bashku me kardinalin Peter Turkson, librin “Korrozioni” (Rizzoli), i cili flet pikërisht për korrupsionin, sepse, siç shpjegon në intervistë Alberti, gjatë korrupsionit kemi një proces korrozioni: nuk respektohen më parimet themelore të bashkëjetesës dhe të edukatës individuale. Korrupsion është emër, që vjen nga latinishtja “cum-rompere”, të shkatërrojmë së bashku. Është trup, që kalbet në mish e në shpirt. Mund të jetë njeri apo shoqëri.

Filozofikisht, sqaron Vittorio Alberti, tema e korrupsionit duhet trajtuar së bashku me idenë e drejtësisë, që ka njeriu. Ajo duhet interpretuar nga pikpamja antropologjike e kulturore, pasi duhet parë ç’ndodh me njeriun. Korrupsioni është një mundësi jete tepër radikale, është si vetë e keqja. E duhet mjekuar përmes edukimit dhe arsimimit. Shpesh, njerëzit nuk e dinë se pas trafikut të njerëzve, ose të organeve, për shembull, qëndron korrupsioni. Filozofikisht, vijon Alberti, korrupsioni është formë ideologjie e duke e ndjekur, njeriu mendon e beson se është në të drejtën. Madje, as që e ngre problemin moral nëse ajo që bën është e drejtë apo jo.

 “Edhe klerikalizmi – deklaron filozofi italian për agjencinë katolike Sir – është formë e korruptimit të mesazhit ungjillor: bëhem idhujtar i institucionit kishtar dhe e humbas horizontin drejt të cilit sheh institucioni, pra, Zotin. Humbas lirinë dhe nuk e kërkoj Zotin”, sepse ky kërkim është më i ndërlikuar se përgjigjet, që më jep institucioni. “Kjo vlen edhe për jo besimtarët: mund të jemi idhujtarë të shtetit e të shoqërisë e ta humbasim mundësinë për ta lartuar shpirtin”.

Natyrisht, nënvizon më tej Vittorio Alberti, në nivelin shtetëror, korrupsioni luftohet me ligje e me politikë, por puna më e vështirë është lufta kundër mendësisë e kulturës. I korruptuari e korruptuesit janë njerëz, që e dinë veten më të zgjuar se të tjerët, denoncon filozofi. Papa Françesku flet për një lloj “triumfalizmi”, sepse mendja e tyre u thotë se janë më inteligjentë e më në kontakt me jetën reale, në krahasim me të tjerët. Në të vërtetë, pas sjelljes së të korruptuarit, fshihet një botëkuptim pesimist. Ai e sheh botën si të pandryshueshme; njerëzimin si fole e përhershme e së keqes, prandaj për të mbijetuar – beson – është e natyrshme të veprosh sipas rregullës “më jep-të jap”, parë në këndvështrimin më negativ të mundshëm. Kështu, nuk ka shpresë. Hyhet në një gjendje krejtësisht e rrënjësisht antikristiane.

Ajo që po bën Papa Françesku në Vatikan është përpjekje për të shpjeguar ç’është korrupsioni, sa rëndon ai mbi jetën e shoqërisë dhe për të dhënë një mendim mbi rrugëdaljen nga kjo gjendje. “Nëse Papa Françesku flet kaq shpesh – thekson filozofi Alberti – do të thotë se çështja është globale dhe shumë e rëndë”. Sfida është e jashtëzakonshme. Pas takimit të qershorit, Selia e Shenjtë pret propozime dhe ide nga Kishat vendore, të cilat kanë filluar të organizojnë nisma të ndryshme për këtë qëllim. Ati i Shenjtë ka kërkuar që ndjetet e lutjes për shkurtin e vitit 2018 t’i kushtohen luftës kundër korrupsionit, në përkujtim të meshtarit italian, don Pino Puglisi, vrarë nga mafia, për ta lidhur kështu korrupsionin me krimin e organizuar e mafien. Ku ka mafie ka gjithnjë korrupsion,  pavarësisht se nuk është gjithmonë e vërtetë e kundërta. Por përpjekja për ndryshimin e mendësisë e për çrrënjosjen e korrupsionit nga kultura duhet të jetë globale.








All the contents on this site are copyrighted ©.