2017-09-19 12:32:00

Papa Françesku: me Motu Proprio, Institut i ri për Familjen


Mban datën 8 shtator 2017, por u publikua sot Letra Apostolike “Summa Famialiae Cura” e Papës Françesku në formën e Motu Proprio-s. Me të, Ati i Shenjtë themelon Institutin Papnor Teologjik “Gjon Pali II” për Shkencat e Martesës e të Familjes, pjesë e Universitetit Papnor Lateranens, që zëvendëson Institutin Papnor “Gjon Pali II” për Studimet mbi Martesën e Familjen, parashikuar nga Kushtetuta apostolike “Magnum Matrimonii sacramentum” i datës 7 tetor 1982.

Qendër akademike referimi

Instituti i ri teologjik, siç saktësohet në nenet e Letrës Apostolike, do të jetë një “qendër akademike referimi, në shërbim të misionit të Kishës universale, në fushën e shkencave, që kanë të bëjmë me martesën e familjen, si edhe me temat e besëlidhjes themelore të burrit e të gruas për mbrojtjen e breznive dhe të gjithësisë së krijuar nga Zoti”. Instituti do t’u përgjigjet normave të statutit të vet, do të ketë një Kancelar të Madh, një drejtor dhe një Këshill. Do të veprojë në bashkëpunim me Kongregatën për Edukimin Katolik, me Dikasterin për Laikët, Familjen dhe Jetën, si edhe me Akademinë Papnore për jetën.

Fusha e interesit do të zgjerohet

Kemi të bëjmë, lexohet në Letrën Apostolike të Papës Françesku, me një “kuadër të ri juridik” për Institutin, që shën Gjon Pali II e deshi që nga viti 1981. Kështu, intuita e tij largpamëse mund të vlerësohet e të njihet më mirë, duke u aktualizuar në realitetin e sotëm. “Fusha e interesit – lexohet – do të zgjerohet, si përsa u përket përmasave të reja të detyrës baritore dhe të misionit kishtar, ashtu edhe përsa u përket zhvillimeve të shkencave humaniste e të kulturës antropologjike në një fushë kaq themelore për kulturën e jetës”.

Kujdesi për plagët e njerëzimit në baritorinë e Kishës

Kohët e fundit, shpjegohet në tekst, në krahasim me vitet ’80 kur ishte papë shën Gjon Pali II, Kisha ka bërë hapa të tjera përpara. Mjafton të kujtojmë dy sinodet mbi familjen në vitin 2014 dhe 2015, si edhe Nxitjen Apostolike post-sinodale “Amoris Laetitia”, publikuar vitin e kaluar. Ky sezon, shkruan Papa, ka sjellë një vetëdijësim të ri në Kishë. Familja është qendrore, nënvizon, si në rrugën e bashkësisë së krishterë, ashtu edhe në misionin e Kishës. Kjo kërkon që të mbahet gjithnjë parasysh “perspektiva baritore dhe kujdesi për plagët e njerëzimit”. Sipas Atit të Shenjtë, ndryshimet antropologjiko-kulturore të kohës së sotme nuk i lejojnë baritorisë së Kishës të propozojë “modele e forma të së kaluarës”, por kërkojnë “një qasje analitike e të ndryshme nga rasti në rast”, duke e parë realitetin e familjes së sotme me gjithë dritëhijet e tij, me realizëm të urtë e me inteligjencën e dashurisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.