2017-09-18 11:24:00

Vizita baritore e kardinalit Filoni në Japoni


Prefekti i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin e Popujve, mbërrini sot në Tokio për vizitën  e tij baritore në Japoni, deri më 26 shtator. Programi i ngjeshur - njofton agjencia Fides – fillon sot, e hënë 18 shtator,  me etapën e parë në Fukuoka, ku kardinali Filoni viziton Seminarin, do të thotë shkollën ku formohen të rinjtë për meshtari, e gjatë Meshës do të mbajë homelinë e rastit.

Të nesërmen, në Nagasaki, është në program takimi  i kardinalit Filoni me meshtarët, rregulltarët e besimtarët katolikë e, pas një vizite në vendet më të rëndësishme të kultit në qytet, takimi me të rinjtë që parapërgatiten për të hyrë në Seminar, ndërsa pasdite, do të mbahet kremtimi i Meshës në Kishën katedrale.

Të mërkurën më 20 shtator, pas takimit me ipeshkvijtë e rajonit të Nagasakit, kardinali Filoni do të shkojë në Hiroshima. Këtu, pas vizitës në Memorialin e Paqes e të bombës bërthamore, do të takojë meshtarët, rregulltarët e besimtarët, këndej do të kremtojë Meshën në Kishën katedrale.

Të enjten më 21 shtator, në Osaka, është në program takimi me ipeshkvijtë e rajonit, së bashku me klerin dhe besimtarët, e së fundit edhe këtu kardinali Filoni do të kremtojë Meshën në Kishën katedrale.

Të premten më 22 shtator, Prefekti i Dikasterit Misionar do t’i vizitojë vendet e tërmetit e të tsunamit në Sendaj e do të kremtojë Meshën në Kishën katedrale.

Të shtunën më 23 shtator, në Tokio, do të mbajë fjalimin për klerin e besimtarët, me të cilën do të kremtojë Meshën.

Të dielën paradite më 24 shtator, në program është vizita në Universitetin Sofia, ndërsa pasdite kardinali Filoni do të takojë klerin e besimtarët, për të cilët do të kremtojë Meshën në Kishën katedrale, së bashku me ipeshkvijtë e Japonisë.

Të hënën më 25 shtator, kardinali Filoni do të mbajë një konferencë e do të bisedojë me ipeshkvijtë japonezë, të nesërmen do të niset drejt Romës.

Ipeshkvi japonez, imzot Isao Kikuchi, misionar Verbit, në udhëheqjen e dioqezës së Niigata dhe president i Karitasit japonez, thotë: “Jemi të lumtur për këtë vizitë, është hera parë që Kardinali Filoni vjen në Japoni. Shpresojmë që prania e tij të jetë një inkurajim për komunitetin tonë të vogël katolik. Gjatë kësaj vizite, Prefekti i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin e Popujve, do të ketë rastin për t’u njohur me realitetin e Kishës dhe të shoqërisë japoneze. Do të vizitojë komunitete e dioqeza të ndryshme, do t’i lutët Zotit për paqen në Hiroshima e Nagasaki, do të vizitojë viset e goditura nga tsunami, duke konstatuar kështu personalisht edhe veprimtarinë e Karitasit në favor të njerëzve të goditur nga kjo fatkeqësi. Pastaj, do të jetë më rëndësi, besoj, takimi edhe me seminaristët, për t’i inkurajuar në udhën e thirrjes së tyre meshtarake”.

Kisha në Japoni ka edhe sfidat tjera që jeton sot, siç është “popullsia mjaft e moshuar, çka krijon jo pak vështirësi edhe në çuarjen përpara të komuniteteve famullitare; pastaj prania e emigrantëve të besimit katolikë e kujdesi baritor e shpirtëror për ta është punë urgjente e impenjuese në fushën shpirtëror, por edhe në atë sociologjike e antropologjike, sepse në shoqërinë japoneze praktitat fetare kanë gjithnjë më pak hapësirë në një jetë të vrullshme, me ritme të shfrenuara që njerëzit kanë këtu”. “Shpresojmë që vizita e Prefektit të Kongregatës së Propaganda Fide të na ndihmojë në ndriçimin e udhës sonë, prandaj e presim si shenjë bekimi e zëri të vullnetit të Zotit për ne”, përfundoi ipeshkvi imzot Isao Kikuchi.

Sipas statistikave të fundit të Vjetarit të Kishës, Japonia ka një popullsi prej 126.958.000 banorësh prej të cilëve 544.000 katolikë. Dioqezat janë 16-të, me tri kryedioqeza metropolite (Nagasaki, Osaka e Tokio) e 13 dioqeza. Famullitë kishtare janë 870,  ipeshkvijtë 26, meshtarët dioqezanë 532, meshtarët rregulltarë 914, diakonët permanent 26, rregulltarët 190, motrat rregulltare 5.334, katekistët 1.645, seminaristët e vegjël 40, seminaristët e mëdhenj 87.








All the contents on this site are copyrighted ©.