2017-09-14 14:09:00

Papa Françesku, ipeshkvijve të rinj: shoqërojeni me përvujtëri udhën e njeriut


“Njeriu konkret vijon ta bëjë të dukshme me forcë nevojën për ndihmë në përballimin e çështjeve dramatike, që e shqetësojnë, nevojën për t’u udhëhequr atërisht në udhën e tij sfiduese, nevojën për t’u orientuar në misterin e kërkimit personal të jetës e të lumturisë”. Kështu u tha sot, Papa Françesku, ipeshkvijve të rinj të shuguruar gjatë këtij viti, të cilët i priti në Vatikan, në përfundim të shtegtimit të tyre në Romë, organizuar nga Kongregata për Ipeshkvijtë e për Kishat Lindore. Për Papën, takimi është gjithnjë rast për t’i njohur personalisht prelatët dhe për të folur me ta për detyrën që i pret. Sipas Françeskut, ata duhet të dëshmojnë Ungjillin dhe, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, ta ndihmojnë grigjën, që u është besuar, të shqyrtojë shpirtin e veprimtarinë e vet në realizimin e vullnetit të Zotit.

“Vetëm kush udhëhiqet prej Zotit – pohoi Papa Bergoglio – ka titull e autoritet për ta propozuar veten si udhëheqje për të tjerët”. Ipeshkvi merr dhuratën e Shpirtit Shenjt, por shoshitja e punëve të dioqezës kërkon lutje, hapjen e mendjes e të zemrës për ta lënë Shpirtin e Zotit të veprojë.

Shoshitja, shpjegoi Papa më tej, është hir i Shpirtit për gjithë Popullin e Zotit. Për ipeshkvin, “është dhuratë e marrë në mesin e Popullit dhe e orientuar për shpëtimin e tij”. Ai nuk është zoti i Popullit të vet, por as bariu i vetmuar e i frikësuar, që rri mënjanë, nënvizoi Ati i Shenjtë. Shoshitja e ipeshkvit bëhet me gjithë bashkësinë, prandaj bariu i dioqezës duhet të hyjë në dialog me të tjerët, me vëllezërit në episkopat, me meshtarët dhe me besimtarët laikë.

Papa Françesku i këshilloi ipeshkvijtë e rinj të dëgjojnë mendimet e të tjerëve e, kur duhet, të heqin dorë nga këndvështrimi i tyre për të fituar atë të Zotit. Misioni ipeshkvnor duhet jetuar “pa protagonizma e pa narcizizma”, me përvujtëri, duke iu bindur “Ungjillit, Magjisterit, normave të Kishës dhe gjendjes konkrete të njerëzve”. Zgjidhjet, sado të mira, nuk mund të vlejnë për çdo situatë, theksoi Papa.

Ati i Shenjtë i këshilloi ipeshkvijtë ta trajtojnë “me delikatesë të veçantë” kulturën dhe përshpirtërinë e një populli. Ata duhet ta shoqërojnë atë, në mënyrë që të jetë në gjendje të zgjedhë e të realizojë të mirën e dashur prej Zotit. Pa harruar, shtoi Papa Françesku, edhe durimin e pritjen që të vijë koha e Zotit e jo e jona, pasi plani i Tij i dashurisë për njeriun shkon përtej nesh.

Fjalë të Papës Françesku edhe për ipeshkvijtë e rinj të Shqipërisë, që sot janë mbledhur të gjithë në shugurimin ipeshkvnor të imzot Simon Kullit, në dioqezën e Sapës. Së shpejti, edhe ata do të vijnë në Vatikan për t’u njohur më mirë me detyrën e re e, natyrisht, edhe për t’u takuar me Papën.








All the contents on this site are copyrighted ©.