2017-09-14 15:48:00

Mesazh i Papës Françesku në favor të luftës kundër shkretimit


Papa Françesku inkurajon Konferencën XIII të Shteteve anëtare të Konventës për Luftën kundër Shkretimit të koordinojë veprimtaritë, që synojnë zgjidhjen e kësaj krize të rëndë ekologjike të kohës sonë. Në Ordos të Kinës, nga 6 deri më 16 shtator, përfaqësues të shteteve anëtare po diskutojnë rreth problemeve të shkretimit të tokave të tëra në botë. Ati i Shenjtë u dërgoi një mesazh, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, që u lexua të hënën, më 11 shtator, nga kreu i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Konferencë.

 “Shenjtëria e Tij – shkruhet në mesazh – e përgëzon Konferencën, e cila përpiqet të rizgjojë interesin dhe impenjimin e të rinjve në ndërmarrjen e madhe të shndërrimit të shkretëtirave në kopshte (shih Is 35,6), si edhe ka besim se ata do ta ngrenë zërin në thirrjen për të zbatuar me më tepër ndërgjegje rezolutat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë qëllim”.

Pasi përmend impenjimet e përhershme të Papës Françesku në favor të ambientit, mesazhi i nënshkruar nga kardinali Pietro Parolin, vë në dukje shpresën e Atit të Shenjtë që Konferenca ta shohë temën e shkretimit të tokave të lidhur ngushtë me temën etike të varfërisë, të nënzhvillimit e të drejtësisë ndërmjet brezave. “Papa Françesku – përfundon mesazhi – inkurajon me gjithë shpirt përpjekjet e Konferencës për t’u mundësuar kudo vëllezërve dhe motrave tona, të jetojnë në paqe e në siguri, të kontribuojnë me mjetet e tyre për të mirën e përbashkët dhe të zhvillojnë gjithë potencialin e tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.