2017-09-14 11:56:00

Festa e Naltimit të Kryqit, Relikes së ngjalljes.


Më 26 shkurt të vitit 630 Jerusalemi përgatitet të jetojë një ngjarje të madhe. Prej disa ditësh, një turmë vigane dyndet drejt Qytetit Shenjt. Familje të tëra grumbullohen tek portat e qytetit e disa njerëz kalojnë net të tëra jashtë, nga frika se nuk do të mund të marrin pjesë në festën e jashtëzakonshme. Njerëzit flasin, hanë, këndojnë së bashku, formojnë grupe të vogla urate.

“Po vjen! Erdhi!”
Një fëmijë që vrojton rrugën, i hipur në maje të një peme, i lajmëron njerëzit se po fillon ajo që pritet prej shumë orësh. Lajmi përhapet me shpejtësinë e dritës:
“Është pikërisht Kryqi! Së shpejti do të kalojë para nesh!”.
Disa njerëz ngrihen në majë të gishtërinjve, të tjerë shtyhen, grupe fëmijësh kacavaren mbi degët e pemëve ose hipin mbi supe të prindërve. Si të ishte një trup i vetëm, turma grumbullohet buzë rrugës, e mbikëqyrur nga ushtarët. Është e vërtetë, po vjen! Pas gjashtëmbëdhjetë vjet ‘mërgimi’, Kryqi i Krishtit po kthehet në shtëpi! Më në fund persianët ia rikthejnë Jerusalemit, pasi e vodhën kur korrën fitoren e vitit 614.
Herakliu, perandori i ri i Lindjes, e risjell Kryqin në vend me një ceremoni madhështore, i shoqëruar nga e shoqja, perandoresha Martina, nga oborrtarët e nga gjithë ushtria, me uniformë të ndritshme festive. Paria e vendit, rregulltarët e krerët ushtarakë formojnë një procesion të paparë ndonjëherë, të gjatë, pa fund. Procesioni drejtohet ngadalë drejt Jerusalemit. Po pjesëmarrësit më të shumtë janë njerëz të zakonshëm, besimtarë, të grumbulluar me mijëra gjatë gjithë rrugës. Ngarendën për ta pritur Kryqin e Zotit me një gëzim, me një entuziazëm, me një emocion, të cilin askush s’e kishte provuar më parë, e s’do ta provonte as më pas. Ishte një ditë e jashtëzakonshme, e papërsëritshme!
Emocioni nuk përmbahet më kur, nga larg, nis të duket profili i Kryqit. Herakliu është kujdesur që gjithçka të jetë e denjë për pritjen e Relikes së Ngjalljes. I ka mbledhur të gjitha pjesët së bashku, që populli ta shikojë të plotë Kryqin e lumnueshëm. Jerusalemi nuk jetonte prej kohe një ngjarje të tillë. Burra e gra, të mbledhur pranë e pranë, i harrojnë grindjet e vjetra e problemet personale, për t’u shtrënguar, të bashkuar e të lum, rreth Kryqit të Krishtit. Tani, më shumë se kurrë, Kryqi është për ta shenjë e bashkimit dhe e dashurisë së Hyjit për të gjithë njerëzit.
E kështu lind edhe festa e Naltimit të Kryqit, që Kisha, nga ky çast, nis ta kremtojë vit për vit. Në këtë festë të krishterët e botës mbarë kujtojnë se Krishti dha jetën për ta, e për ta e mundi të keqen e vdekjen!








All the contents on this site are copyrighted ©.