2017-09-13 19:09:00

Papa Françesku takon dom Tomën, salezian i rrëmbyer në Jemen


U përkul deri në tokë për t’i puthur Papës këmbët, por Françesku e ngriti menjëherë dhe ia puthi ai duart: kjo fotografi e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano” e tregon më së miri takimin e Atit të Shenjtë me dom Thomas Uzhunnalil, salezianin indian të liruar dje, pasi u rrëmbye gjatë një sulmi terrorist, 18 muaj më parë në Jemen.

         Papa Françesku e priti sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës, pas audiencës së përgjithshme. E përqafoi dhe e inkurajoi, duke e siguruar se do të vazhdojë të lutet për të, ashtu siç bëri edhe gjatë muajve të sekuestrimit. Së fundi, i dha bekimin, thellësisht i mallëngjyer.

Rregulltari i tha Papës se është lutur çdo ditë, edhe për të e për misionin e tij në të mirë të Kishës, fjalë, që e prekën Françeskun. Rrëmbyer më 4 mars 2016 në Aden, gjatë sulmit terrorist në shtëpinë për të moshuarit të motrave të Nënë Terezës, deklaroi për “L’Osservatore Romano”-n se nuk ka mundur të kremtojë Eukaristinë, por, përditë, i thoshte fjalët e meshës në zemër të vet. E kujtoi edhe katër motrat e Nënë Terezës, që humbën jetën gjatë sulmit terrorist, së bashku me 12 vetë të tjerë, ngjarje për të cilën ju kemi njoftuar edhe përmes valëve të Radio Vatikanit.

Selia e Shenjtë, me një komunikatë, falenderoi sot qeverinë e Omanit e në veçanti, sulltanin e vendit dhe autoritetet, që bënë ç’është e mundur për lirimin e salezianit indian. “Çdo ditë – deklaron dom Toma – e kam ndjerë Jezusin pranë meje, e kam ditur gjithmonë në zemër se nuk isha vetëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.