2017-09-11 12:52:00

Papa largohet nga Kolombia: të ecim së bashku si vëllezër


“Mbeta shumë i kënaqur”. Kështu i përshëndeti Papa kolombianët, në përfundim të shtegtimit të tij të 20-të apostolik. Avioni papnor u shkëput nga aeroporti i Cartagena-s pak para orës 2.30 me orën evropiane. Pritet të arrijë në Romë në orët e vona të paradites.

Në përfundim të Meshës në zonën e Aeroportit të qytetit, pas fjalëve të ngarkuara me emocion të thellë të imzot Jorge Enrique Jiménez Carvajal, Kryeipeshkëv i Cartagena-s, të cilin Papa e falënderoi për fjalët e përzemërta, që i drejtoi në emër të episkopatit dhe të mbarë popullit të Zotit, Ati i Shenjtë përshëndeti edhe Presidentin Juan Manuel Santos, autoritetet e tjera dhe gjithë ata, që e ndoqën kremtimin drejtpërdrejt ose përmes mjeteve të komunikimit. Falënderoi edhe bashkëpunëtorët e angazhuar për suksesin e këtij shtegtimi, duke i krijuar mundësinë të vizitojë shumë realitete dhe të takojë shumë njerëz, që i prekën zemrën. Në përfundim, përshëndetja:

“Të dashur vëllezër, dëshiroj t’ju lë një porosi të fundit; nuk duhet të ndalohemi tek ‘hapi i parë’, por të vijojmë të ecim së bashku ditë për ditë, për të shkuar tek tjetri, në kërkim të harmonisë e vëllazërimit. Nuk mund të ndalemi! Më 8 shtator 1654 vdiste pikërisht këtu, Shën Pedro Claver, pas dyzet vjet skllavërie vullnetare e pune të palodhur në ndihmë të më të varfërve. Ai nuk u ndal. Pas hapit të parë, bëri hapa të tjera e të tjera. Shembulli i tij na bën të dalim nga vetvetja e të shkojmë drejt të afërmit.

Kolombi! Yt vëlla ka nevojë për ty! Shko e takoje duke i çuar përqafimin e paqes, çliroje nga çdo dhunë e bëje ‘skllave të paqes përgjithmonë!’”.

Përfundoi kështu, shtegtimi i 20-të apostolik i Papës, i nisur me fjalën “shpresë” drejtuar të rinjve, mbledhur mbrëmjen e së mërkurës në nunciaturën e Bogotasë. E pikërisht kjo fjalë jehoi këto ditë në mbarë Kolombinë, duke entuziazmuar popullin kolombian e duke e nxitur ta kërkojë pa reshtur paqen - kantier gjithnjë i hapur, detyrë që nuk të lë as të marrësh frymë e që kërkon angazhimin e të gjithëve. “Popull i Kolombisë, hapja zemrën Zotit e pajtoju!” - kërkoi Françesku përballë viktimave, ish-luftëtarëve dhe autorëve të dhunës gjatë një konflikti të armatosur, që zgjati më se 50 vjet. Nuk është proces i pakicës, për pakicën,  kujtoi para nisjes, por një marrëveshje për të jetuar të gjithë së bashku. E, më pas, thirrja e re "për t’i dhënë fund trafikut të drogës, që mbjell vdekje  e shkatërrim!” Një arsye më shumë për të hedhur hapa të reja drejt një ardhmërie më të mirë!








All the contents on this site are copyrighted ©.