2017-09-09 08:00:00

Papa Françesku lutet para Kryqit të Pajtimit në Kolombi


Menjëherë pas Takimit të Pajtimit, në Villavicencio të Kolombisë, Papa Françesku shkoi në Parkun e Themeluesve, parku më i madh i qytetit, në qendër të të cilit ngrihet monumenti kushtuar Themeluesve të tij, etnisë “llanera”. Krah këtij monumenti është vendosur Kryqi i Pajtimit, sjellë në Villavicencio në përfundim të Udhës së Kryqit, e cila përshkoi Llanes Orientales, në vitin 2012. Mbi të, një targë kujton numrin e viktimave të sekuestruara, vrasjet dhe minat kundër njeriut që përgjakën rajonin lindor të Kolombisë gjatë konfliktit të armatosur.

Këtu e prisnin Papën rreth 400 fëmijë e një grup indigjenësh, së bashku me presidentin e Republikës. Ati i Shenjtë u ndal pranë Kryqit në lutje të heshtur. Në fund, mbolli një pemë, simbol i jetës së re. Kur Evropa flinte akoma, në orët e para pas mesnatës, Papa Françesku u kthye në Bogota, ku para nunciaturës apostolike e përshëndetën grupet e viktimave të dhunës, ushtarakë, agjentë dhe ish-guerrilas. Ati i Shenjtë e kaloi natën në nunciaturë. Përfundoi kështu dita e tretë e udhëtimit apostolik të Papës në Kolombi.








All the contents on this site are copyrighted ©.