2017-09-09 14:32:00

Kolombi. Papa lutet për viktimat e uraganit Irma dhe të tërmetit në Meksikë


Në ditën e tretë të shtegtimit të tij në Kolombi, Papa e përfundoi kremtimin liturgjik kushtuar Lumnimeve në Villavicencio, duke kujtuar viktimat e tërmetit në Meksikë dhe të kalimit të uraganit Irma mbi Karaibet.

Pasi falënderoi për fjalët e tij të përshëndetjes ipeshkvin Oscar Urbina Ortega, kryeiepshkëv i Villavicencio, Françesku u shprehu “afërsinë e tij shpirtërore të gjithë atyre, që po vuajnë nga pasojat e tërmetit i cili, natën e kaluar, dëmtoi rëndë Meksikën, duke shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve si dhe dëme të rënda materiale. “Siguroj se lutem për ata, që humbën jetën dhe për familjet e tyre” - theksoi Papa, në një atmosferë të dhimbshme, kur burimet zyrtare vendase, duke e përditësuar bilancin, flasin për 32 të vdekur për shkak të tërmetit prej 8,2 ballësh, më i fuqishmi që ka lëkundur tokën meksikane gjatë njëqind vjetëve të fundit.

Por Papa nuk mund t’i harronte as viktimat e uraganit Irma që, si i la pas Karaibet, po shfryn tani mbi Floridën, duke vënë në ikje një gjysëm milioni njerëz. “Ndjek nga afër zhvillimin e uraganit Irma, që po godet zonën e Karaibeve - tha Françesku - duke lënë pas një mori viktimash e dëmesh materiale, e edhe mijëra të shpërngulur. I kam në zemër e lutem për ta”- theksoi. E mbarë turmës së besimtarëve, rreth katërqind mijë të pranishëm në Villavicencio, Papa u kërkoi të bashkohen me ndjetet e lutjes së tij.

Së fundi, para se të largohej nga Parku Las Malocas, Françesku përshëndeti një delegacion prej dhjetë vetësh, shoqëruar nga ipeshkvi i tyre, ardhur nga qyteti i Mocoa, dëmtuar në muajin prill nga përmbytjet, që shkaktuan 250 të vdekur e 400 të plagosur. Tek ata pati shkuar mendimi i Papës gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të 2 prillit, kremtuar gjatë vizitës së tij në Carpi.








All the contents on this site are copyrighted ©.