2017-09-08 18:00:00

Papa Françesku shpall dy të Lumë në Villavicencio. Pajtohuni me Zotin e me gjithësinë, u tha kolombianëve


Dita e tretë e shtegtimit apostolik të Papës Françesku në Kolombi, ku sot, para 1 milion vetëve në Villavicencio, shpalli të lumë Shërbëtorët e Zotit, Jezus Emilio Jaramillo Monsalve, ipeshkëv i Arauca-s, dhe Pedro Marìa Ramìrez Ramos, meshtar dioqezan. Ishte kjo meshë, ku Ati i Shenjtë vuri theksin në nevojën e pajtimit me Zotin e me gjithësinë e krijuar prej Tij, një nga pikat kulmore të udhëtimit papnor, që dje e çoi Françesku në kryeqytetin e Kolombisë, në Bogota, ku kremtoi meshën në sheshin Bolivar, u foli të rinjve, u takua me ipeshkvijtë vendas e të krejt Amerikës Latine, bekoi besimtarët, mori çelësat e qytetit e përshëndeti autoritetet. Sot, do të flasë për pajtimin kombëtar, pas vjetëve të gjata të konfliktit, kur në Evropë do të jetë natë, por që në meshën e kremtuar në orën 16.30 (me orën evropiane) në terrenin Catama, menjëherë jashtë qytetit, Papa Françesku vuri theksin në këtë synim fisnik për krejt popullin kolumbian.

 E bëri këtë, duke kujtuar festën e sotme të lindjes së Zojës, “agim i ri – tha që në fillim të homelisë – që i kumtoi gëzimin botës mbarë”, sepse nga Maria lindi ylli i drejtësisë, Krishti, Zoti ynë. “Maria – nënvizoi Papa është rrezja e parë, që shpall fundin e natës e, sidomos, ditën tashmë të afërt. Lindja e saj na bën ta kuptojmë nismën plot dashuri, ëmbëlsi e dhembshuri me të cilën Zoti u përkul deri tek ne e na thirri për një besëlidhje të mrekullueshme me Të, që nuk mund ta prishë asgjë e askush”.

Ati i Shenjtë Bergolgio përmendi gjenealogjinë e Jezusit, që përshkruhet në Ungjillin e sotëm e, nënvizoi se ajo listë na thotë edhe sot, se të gjithë jemi një pjesë e vogël e një historie të madhe e na shpëton nga protagonizmi i kotë. Gjithashtu, përfshin në historinë tonë të shëlbimit, edhe faqet më të errta e më të trishtuara, që mund t’i krahasojmë me ikjen e Marisë e të Jozefit për të shpëtuar Foshnjën Hyjnore.

Homelia e Papës ishte himn për gratë e të gjitha kohrave. Të mos harrojmë tha Ati i Shenjtë, duke përmendur gratë e gjenealogjisë së Jezusit, se “Ungjilli fillon duke vënë në dukje gratë, që kanë përcaktuar prirje e kanë bërë histori”. E historia e gjithë njerëzimit ndryshon me atë “po”, thënë nga Zoja engjëllit të Zotit, kuptuar nga shën Jozefi edhe më parë se t’ia thoshte engjëlli në ëndërr. “Sot – nënvizoi Papa – në këtë botë në të cilën dhuna psikologjike, verbale dhe fizike kundër gruas është sheshit, Jozefi na paraqitet si figura e burrit që respekton, është delikat e që, pavarësisht se nuk i ka të gjitha informacionet, vendos ta ruajë emrin e mirë, dinjitetin dhe jetën e Marisë”.

Me një paralelizëm domethënës, Ati i Shenjtë e pyeti popullin kolombian ç’duhet bërë për të lënë të hyjë drita, pas konfliktit të përgjakshëm, që u ka shkaktuar vuajtje shumë burrave e grave? Cilaj janë udhët e pajtimit? “Si Maria, i duhet thënë ‘po’ krejt historisë, jo vetëm një pjese të saj; – nënvizoi Papa – si Jozefi, duhen mënjanuar pasionet e krenaritë e kota; si Jezu Krishti, duhet marrë përsipër, bërë personale e përqafuar kjo histori, sepse në të jeni ju, të gjithë kolombianët…e gjithçka mund të bëjë Zoti nëse i themi “po” së vërtetës, mirësisë, pajtimit”.

Por ç’është pajtimi? Për Papën, nuk është fjalë abstrakte: “Pajtim do të thotë t’u hapësh portën të gjithëve dhe secilit prej njerëzve, që kanë jetuar realitetin dramatik të konfliktit. Kur viktimat fitojnë mbi tundimin e kuptueshëm për hakmarrje, bëhen protagonistët më të besueshëm të proceseve për ndërtimin e vendit”. Duhet bërë hapi i parë, kërkoi Ati i Shenjtë, por kjo nuk do të thotë të ligjërohen padrejtësitë personale apo strukturore. Siç thoshte shën Gjon Pali II, pajtimi është takim vëllezërish, që përpiqen të largohen nga egoizmi, por edhe të mos tundohen nga pseudo-drejtësia; pajtimi është fryt ndjenjash të fuqishme, fisnike e bujare, të cilat çojnë drejt një bashkëjetese të bazuar mbi respektin për çdo individ dhe për vlerat tipike të shoqërisë, ku bën pjesë.

Zoti ka premtuar se do të jetë gjithnjë me ne e në këtë këndvështrim e pa Papa Françesku edhe lartimin në altar të dy bijve të Kolombisë, imzot Jezus Emilio Jaramillo Monsalve, ipeshkëv i Arauca-s, dhe Pedro Marìa Ramìrez Ramos, meshtar dioqezan, martir i Armeros, shenja të dëshirës së popullit për të dalë nga moçali i dhunës dhe i mllefit.

E së fundi, Ati i Shenjtë Françesku u kërkoi kolombianëve t’i thonë “po” si Maria, edhe pajtimit me natyrën, mbi të cilën, denoncoi, kemi pasqyruar etjen tonë për pushtet. “Dhuna në zemrën e njeriut, plagosur nga mëkati – përfundoi Papa Françesku homelinë e tij – duket edhe në simptomat e sëmundjes që gjejmë në tokë, në ujë, në ajër e në qeniet e gjalla. Na përket ne të themi ‘po’ si Maria e të këndojmë me të për “mrekullitë e Zotit”, që, siç u premtoi etërve tanë, ndihmon gjithë popujt e çdo popull, ndihmon Kolombinë, që sot dëshiron të pajtohet, brez pas brezi, përherë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.