2017-09-07 10:30:00

Papa, në Kolombi, i fton të rinjtë të mos e humbasin gëzimin dhe shpresën


Papa arriti në Kolombi pak pas orës 16.00 me orën vendase. E priste Bogotaja, “2600 metra më pranë yjeve”, siç shkruhet në një nga parullat e vendosura rrugëve, për të kujtuar, kështu, lartësinë e kryeqytetit. Papa Françesku zbriti nga avioni në bazën Catam të Bogotasë, pakëz më shpejt sesa ishte parashikuar, pavarësisht nga ndryshimi i drejtimit të avionit, për t’iu shmangur uraganit Irma. E priste një përqafim vigan, të cilit i printe Presidenti Juan Manuel Santos Calderón, me bashkëshorten dhe nuncin apostolik, Ettore Balestrero. E menjëherë pas, Françesku u rrethua nga turma e fëmijëve: u printe Emanueli, i biri i Clara Rojas, sot parlamentare, rrëmbyer në vitin 2002 e mbajtur peng për vite të tëra nga Farc, në xhunglën kolombiane, ku lindi vogëlushi. Kishte në dorë një pëllumb paqeje prej porcelani të bardhë.

Më pas, paraqitja e delegacioneve, ndërsa të rinjtë hidhnin valle folkloristike, dhe përshëndetja e Papës me një grup të sëmurësh e handikapatësh: ishin kryesisht fëmijë, por edhe civilë e ushtarakë, viktima të konfliktit. Një ledhatim, një selfie, një gisht që lartohet drejt qiellit  e, për të gjithë, një buzëqeshje e ngrohtë prej ati.

Duatrokitjes së rreth një mijë besimtarëve të pranishëm, i shtohej ajo e qindra mijëra njerëzve, rreshtuar gjatë rrugës, që përshkoi papamobili, ndërsa ndër dyqanet, ekranet e televizorëve u tregonin pamjet e kësaj dite të jashtëzakonshme, atyre që nuk kishin mundur të shkonin për ta pritur Papën në aeroport. Pesëmbëdhjetë kilometra deri në nunciaturë, shoqëruar nga kardinali Rubén Salazar Gómez, kryeipeshkëv i Bogotasë dhe kryetar i Këshillit ipeshkvnor latinoamerikan. Rrethuar nga të dy krahët nga turma që shpesh, duke kapërcyer kordonet e sigurisë, e ndalonte papamobilin për ndonjë çast, të gjatë sa një shtrëngim dore.

E kur arriti, përjashta përfaqësisë diplomatike të Selisë së Shenjtë, Françesku u prit me këngë e valle tradicionale nga një grup besimtarësh në festë. Ndërmjet tyre, disa fëmijë e të rinj, ardhur aty nga rruga, nga atmosfera e drogës, nga mjerimi, që këtu vijon. Me një dhuratë në duar: një “ruana kolombiane” apo shall tipik vendas e, kryesisht, me gëzimin e tyre. Françesku i porositi të mos e humbasin kurrë këtë gëzim, njëheresh me shpresën për një ardhmëri më të mirë. Askush - u tha para se të ndahej prej tyre -  të mos ju gënjejë e të mos jua rrëmbejë shpresën!

Miqësi, gëzim e shpresë shprehu edhe Presidenti Santos në një deklaratë të Sallës së Shtypit, në përfundim të kësaj dite, që  flet vetë, duke i treguar botës mbarë se pikërisht ky është “çasti për të ndërtuar paqen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.