2017-09-07 13:47:00

Kard. Salazar: nga Papa, shpresë e re për kolombianët


Qindra mijëra kolombianë pritën dje, me entuziazëm e dashuri, Papën Françesku në Bogotà, përgjatë 15 km që lidhin aeroportin ushtarak të kryeqytetit të Kolombisë me nunciaturën apostolike. Mikpritje vërtet e ngrohtë, që tregon sa shumë pret popullsia nga ky udhëtim i Atit të Shenjtë. Folëm me kryeipeshkvin e Bogotasë, kardinalin Rubén Salazar, njëkohësisht, kryetar i Celam-it, Këshillit ipeshkvnor latinoamerikan:

         Më emocionuan fytyrat e njerëzve. Ishin të lumtur, plot gëzim e shpresë. Shumë qanin. Ishte vërtet festë, siç nuk ka parë Bogotaja, që nga koha e vizitës së Gjon Palit II. Por mendoj, se ngjarjet e tanishme kanë edhe më tepër kuptim, sepse po përjetojmë ditë të vështira nga pikpamja shoqërore e politike e nuk kemi besim në të ardhmen. Nuk dihet ç’ndodh vitin e ardhshëm me zgjedhjet, nuk e dimë mirë si do të shkojnë punët pas kësaj furtune korrupsioni, që jetojmë. Kemi pasur një shkandull pas tjetrit, ku janë përfshirë jo vetëm senatorët dhe përfaqësuesit e Dhomës së Deputetëve, por edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë… Prandaj, njerëzit nuk kanë besim në të ardhmen. Pastaj, edhe marrëveshja e paqes me FARC nuk është e pëlqyeshme për të gjithë. Ka një sektor të popullsisë, që beson se FARC do të humbasë forcë e, kjo do të na çojë drejt gjendjes, që jeton sot Venezuela. Prandaj, kur pashë dje njerëz të lumtur, plot gëzim e shpresë, u emocionova shumë.

         Përveç problemeve politike, paqja në Kolombi lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen e ambientit. Në videomesazhin për kolombianët, para nisjes, Papa Françesku përmendi shfrytëzimin e egër të tij. Cili është impenjimi i ipeshkvijve në këtë drejtim?

         CELAM-i, pra, Këshilli Ipeshkvnor Latinoamerikan, ka një Komision të veçantë, që quhet “Repam” – Rrjeti panamerikan për Amazonën. Ai përpiqet t’i ndërgjegjësojë njerëzit për rëndësinë themelore të ambientit, si edhe parashikon masa e veprime konkrete nga ana e Kishave lokale për të bërë ç’është e mundur për Amazonën. Por Amazona është vetëm njëri nga aspektet. Në Kolombi kemi një pasuri të madhe minerare, e cila shfrytëzohet pa kriter. E atëherë, “minerìa ilegal”, siç e quajmë këtu veprimtarinë minerare të paligjshme, bëhet pa kushtet e nevojshme për mbrojtjen e ambientit. Sot, është një nga problemet më të rënda me të cilat përballet vendi.

         Para fillimit të verës, Papa Françesku u kërkoi ipeshkvijve të mbledhur në Aparecida, të frymëzohen nga Zoja për zgjidhjen e problemeve…

         Ati i Shenjtë ka devocion të madh për Virgjërën Mari. Një nga tiparet e Amerikës Latine është pikërisht përkushtimi i thellë për Virgjërën. Për ne, Zoja ka rëndësi të madhe. Për shembull, tani që erdhi Papa Françesku në Kolombi, kemi sjellë këtu në katedrale Pajtoren tonë, Zojën e Chiquinquirà (Çikinkiràsë) - një vend 200 km larg Bogotasë. E sollëm sepse Zoja është Nëna e Kishës e duke parë Virgjërën Shenjte ndjehemi vërtet anëtarë të Kishës, të ftuar të jemi dishepuj të Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.