2017-09-06 16:37:00

Vdiq kard. Carlo Caffarra, kryeipeshkëv nderi i Bolonjës


Ndërroi jetë, sot, pas një sëmundjeje të rëndë, kryeipeshkvi i nderit i Bolonjës, kardinali Carlo Caffarra. 79 vjeç, i priu kryedioqezës së kryqendrës emiliane nga viti 2004, deri në fund të tetorit 2015.

I lindur më 1 qershor 1938 në Samboseto të Bussetos, në provincën e Parmës, u shugurua meshtar më 2 korrik 1961. Pas një rruge të gjatë shërbimi si zëvendës-famullitar e studimi në seminare e shkolla të larta, shërbeu si profesor i teologjisë morale në Universitetin e Zemrës së Krishtit, në Milano. Themelor, takimi me imzot Luigi Giussanin, që ndikoi shumë mbi veprimtarinë e tij.

Pas botimit të enciklikës Humanae Vitae u thellua në temat e martesës, familjes e lindjes së fëmijëve, për t’iu përgjigjur kërkesave të çifteve të shumta. Dha mësimin e etikës mjekësore pranë Fakultetit të Mjekësisë e Kirurgjisë të Universitetit katolik të Zemrës së Krishtit, në Romë e, në gusht 1974, Papa Pali VI e emëroi anëtar të Komisionit teologjik ndërkombëtar. Si kreu shumë detyra të tjera të rëndësishme në gjirin e Kishës, më 16 dhjetor 2013 Gjon Pali II e emëroi kryeipeshkëv metropolit të Bolonjës.

U krijua kardinal në Koncistorin e 24 marsit 2006, nga Benedikti XVI, me titullin e Shën Gjon Pagëzuesit të Fiorentinëve.

Me vdekjen e tij, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 221 kardinaj, nga të cilët, 120 zgjedhës e 101 jo zgjedhës.








All the contents on this site are copyrighted ©.