2017-09-05 16:51:00

Ipeshkvijtë e Hondurasit e njohin Papën me realitetin e Kishës


Filloi dje, në Vatikan, vizita pesëvjeçare ad Limina e 11 ipeshkvijve të Hondurasit, që patën takimin e parë me Papën. Për kryeipeshkvin e Tegucigalpës, kardinalin Oscar Rodriguez Maradiaga, ishte takim, gjatë të cilit Françesku deshi të njihte nga prelatët, realitetin e Kishës hondurene. Takim shumë i përzemërt - pohoi në mikrofonin e Radio Vatikanit - që flet për një stil të ri të vizitave ad Limina:

Përgjigje: - Më parë çdo ipeshkëv fliste personalisht për disa minuta me Atin e Shenjtë. Ndërsa këtë herë, të 11-tët patëm një bisedë vëllazërore, të këndshme, lidhur me realitetin e Kishës sonë. Secili ipeshkëv foli jo vetëm për dioqezën e vet, por edhe për mbarë Kishën. Ka shumë shenja pozitive në Kishësn tonë, që nga vizita e fundit, që i patëm bërë Benediktit XVI, më 2008. Nga ai çast vërehet një hov i madh në jetën e Kishës: lindën tri dioqeza të reja. Kjo do të thotë se Kisha pati një zhvillim të ndjeshëm. U rrit edhe numri i seminaristëve. Në dy seminaret vendase, aktualisht janë më se 200 seminaristë. Është shtuar gjithashtu pjesëmarrja e laikatit. Kohët e fundit patëm edhe vizitën e Sindonës shenjte. Ishte ngjarje e madhe kombëtare, që emocionoi thellë gjithë popullin. Të shumtë, shtegtarët, që i vizituan selitë ku e ekspozua Relikja shenjte: në San Pedro Sula, qytet i dytë i vendit, e në Tegucigalpa, në bazilikën e Zojës së Suyapa. Numri i shtegtarëve ishte aq i madh, sa është kur kremtojmë festën e Zojës.








All the contents on this site are copyrighted ©.