2017-09-03 13:49:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: nuk ka dashuri të vërtetë, pa flijimin e vetvetes


Ishte ftesë për të vuajtur pa frikë për dashuri të Zotit e të vëllezërve, kjo e Papës në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, sepse vuajtja për hir të Krishtit e të vëllezërve është “e mbarsur me Ringjallje”. Shkrirja e talenteve, energjive, kohës, për të shpëtuar, për të ruajtur e për të realizuar vetveten, të çon në humbjen e vetvetes, ose në një jetë të trishtë e shterpë. Vetëm po të jetojmë për Zotin e ta ndërtojmë jetën mbi themelet e dashurisë, siç bëri Jezusi, mund ta shijojmë gëzimin e vërtetë. Françesku kujtoi se ky paradoks përmban rregullin e artë,  që Zoti e shkroi në natyrën njerëzore, krijuar në Krishtin: rregull, që vijon të na kujtojë se vetëm dashuria i jep jetës  kuptim e lumturi. 

Reflektimi i Papës u frymëzua nga fragmenti ungjillor i së dielës, në të cilin Mateu shpjegon sesi Pjetri - sapo mori vesh se Jezusi do të nisej për Jeruzalem, ku do të mundohej, do të mbytej e do të ringjallej - e qorton Mësuesin, duke e siguruar se një gjëmë e tillë nuk mund t’i ndodhte pikërisht Mesisë. Për Krishtin këto fjalë janë shkandulluese. Në këtë çast Pjetri nuk mendon sipas Zotit, por sipas njerëzve. E nga “shkëmb”, mbi të cilin do të mund të ndërtohej bashkësia e Zotit, Pjetri bëhet pengesë në rrugën e Mesisë. Krishti e di - shtoi Papa - se Pjetri dhe dishepujt e tjerë duhet të bëjnë akoma shumë rrugë, për t’u shndërruar në apostuj të Tij.

Rruga, që tregon Jezusi - shpjegoi Françesku - është të mohosh vetveten, të marrësh kryqin  e tënd e ta ndjekësh. Por gjithnjë, e edhe sot, tundimi është të ndiqet Krishti pa kryq, madje, njeriu t’i mësojë Zotit rrugën e drejtë. Po Krishti - nënvizoi Papa - na kujton se udha e tij është udha e dashurisë. E na kujton edhe se nuk ka dashuri të vërtetë, pa flijim të vetvetes. Jemi të thirrur të mos thithemi nga vizoni i kësaj bote, por të bëhemi gjithnjë më të vetëdijshëm se ne, të krishterët, duhet të shkojmë  përherë kundër rrymës e përherë në të përpjetë.

Jezusi thotë, pastaj, fjalë që shprehin dije të thellë, me vlerë edhe për sot, sepse sfidojnë mendësinë dhe sjelljet egocentrike. Ai vijon të na kujtojë: “Kush dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë, e kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë”(v25). Në kremtimin e Eukaristisë rijetojmë misterin e kryqit; flijimin shpërblyes, në të cilin Biri i Zotit e humbet krejtësisht vetveten, për ta fituar rishtas nga Ati e për të na gjetur kështu, ne, që ishim të humbur, njëkohësisht me të gjitha krijesat. Sa herë marrim pjesë në Meshën Shenjte, dashuria e Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur na përçohet ne si ushqim e pije, që të mund ta ndjekim Atë në udhën e përditshme, në shërbimin konkret ndaj vëllezërve.








All the contents on this site are copyrighted ©.