2017-09-01 14:55:00

Kardinali Maradiaga: Papa në Kolumbi, për të fuqizuar paqen


Mbi rëndësinë e vizitës së Papës Françesku në Kolumbi, që nis të mërkurën e ardhshme, flet, në mikrofonin tonë, kardinali hondurenjas, Oscar Rodriguez Maradiaga:

Përgjigje: - E shikoj si shtegtim shumë të rëndësishëm për mbarë Amerikën Latine, sepse Kolumbia është vend i madh, seli e Celam (Konferencës Ipeshkvnore Latino-amerikane) që nga çasti i themelimit, si dhe qendër e pikëmbështetjeje për të gjithë ipeshkvijtë e Amerikës Latine Pastaj edhe sepse Papa ia ka dalë mbanë të jetë gjithnjë urë: papë. E këtë herë prania e tij  është me vlera të mëdha për konsolidimin e paqes, në një vend tejet të dashur për të.

Pyetje: - Ç’pritet nga takimi i jashtëzakonshëm i viktimave të guerriljes me guerrilasit?

Përgjigje: - Mendoj se është shumë e rëndësishme që Ati i Shenjtë t’u bëjë thirrje zemrave të viktimave, sepse një nga problemet më të rënda janë plagët e shkaktuara nga dhuna e nga vdekja. E kështu, me ndërmjetësinë e Atit të Shenjtë, përmes fjalëve të tij e thirrjes së tij, mendoj se mund të fillojë përtharja e plagëve, shkaktuar nga gjithë ajo dhunë e gjithë ata të vdekur.

Pyetje: - Papa mban qëndrim shumë të ashpër kundër korrupsionit në botë: si duhet punuar, sipas jush, për ta zhdukur?

Përgjigje: - Mendoj se pa kthesë personale, pa kthesën e njerëzve, korrupsioni nuk mund të çrrënjoset. Ajo që kërkon çdo ditë Ati i Shenjtë,  është hapja e zemrave për Krishtin. E në një zemër ku hyn Krishti, nuk mund të hyjë korrupsioni! Nuk besoj se mund të ketë rrugë tjetër për ta luftuar korrupsionin.

Pyetje: - Cilat janë burimet shpirtërore, që ruan sot Amerika Latine?

Përgjigje: - Mendoj se është e nevojshme të forcohet edhe më shumë feja, posaçërisht me ungjillëzimin dhe përshpirtërinë popullore, forcë e madhe në gjirin e popujve të Amerikës Latine.








All the contents on this site are copyrighted ©.