2017-09-01 16:23:00

Ditë të lume për Kishën shqiptare: shugurime ipeshkvijsh e vendesh kulti


Fillojnë ditë të lume për Kishën shqiptare, kudo ndodhet. Ndërsa jemi në atmosferën e kremtimeve për përkujtimin e Nënë Terezës, nga 26 gushti – dita e lindjes së saj – e deri më 5 shtator – dita e kalimit në amshim – shugurime të ndryshme i zënë vendin njëri-tjetrit në të gjitha trevat shqiptare.

         E fillon nesër, dioqeza e Rrëshenit, e cila pret ipeshkvin e saj të ri, imzot Gjergj Metën. Që më 30 gusht, besimtarët u mblodhën në lutje në katedralen e Rrëshenit për ipeshkvin e ri, pasi kishin përcjellë ipeshkvin e tyre të deritanishëm, imzot Cristoforo Palmieri, duke e falenderuar për shërbimin e tij në Shqipëri e duke e siguruar se trashëgimia që la do të vazhdojë të japë fryte. Nesër, mesha e shugurimit të imzot Gjergj Metës do të kremtohet në orën 10.00, në katedralen e Rrëshenit. Liturgjia do të kryesohet nga kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo, me të cilin, sipas traditës së lashtë të Kishës, do të bashkohen edhe imzot Cristoforo Palmieri dhe Nunci apostolik në Shqipëri, imzot Charles John Brown, së bashku me ipeshkvijtë e klerin e pranishëm. Po nesër, ipeshkvi i ri, imzot Gjergj Meta, do të marrë në dorëzim dioqezën dhe do të fillojë shërbimin e tij baritor. Në fund të meshës, të gjithë së bashku, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë dhe besimtarë, do të marrin pjesë në një koktejl të organizuar në hapësirën përballë katedrales së Rrëshenit.

         Edhe e diela shënon një shugurim tjetër në botën shqiptare. Në Tivar të Malit të Zi, në zonën e re të qytetit, shugurohet katedralja e rindërtuar, e cila ka një histori të lashtë 900-vjeçare dhe është një nga qendrat kryesore të katolicizmit në trevat shqiptare të veriut. Është fjala për katedralen kushtuar shën Pjetrit apostull. Më 3 shtator, në orën 11.00, mesha e kushtimit të saj do të kremtohet nga kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj, në praninë e ipeshkvijve të tjerë, të meshtarëve e besimtarëve katolikë. Kujtojmë se fondet për ndërtimin e kishës u siguruan edhe nga bashkësitë e emigrantëve, të shpërndara nëpër botë.

         Më pas, më 4 shtator, pikërisht në ditën kur bota shqiptare përkujton shenjtërimin e Nënë Terezës, kremtuar në Vatikan nga Papa Françesku, Administratura Apostolike e Jugut, në Shqipëri, mblidhet për një mbrëmje lutjeje në Lushnje. I lutet Zotit për ipeshkvin e vet të ri, imzot Giovanni Peragine, i cili do të shugurohet ipeshkëv dhe do të fillojë shërbesën e vet baritore, më 7 shtator, duke zëvendësuar kështu, imzot Hil Kabashin, që e ka kryer atë detyrë deri tani.

         Më 5 shtator, në ditën e kalimit në amshim të Nënë Terezës, shugurimi i shenjtërores kushtuar bamirëses së madhe shqiptare, në Prishtinë të Kosovës. Meshën do ta kryesojë i dërguari i Papës Françesku, kardinali Ernest Simoni (Troshani), i mbijetuar nga persekutimi komunist.

         Seria e shugurimeve përfundon më 14 shtator, kur dioqeza e Sapës do të gëzohet për ipeshkvin e saj të ri. Që më 12 shtator, besimtarët do të mblidhen për t’u lutur për atë, që deri dje ishte administratori i tyre dioqezan, don Simon Kulli. Pastaj, më 14 shtator, në orën 10.00, në Vaun e Dejës, do të kremtohet mesha e shugurimit të ipeshkvit të ri dhe do të fillojë shërbesa e tij baritore. Nuk mund të mos kujtohet, në këtë rast, ipeshkvi i ndjerë i Sapës, imzot Lucian Avgustini, i cili la pas emrin e tij të mirë dhe një trashëgimi të pasur në punën e veprimtarinë baritore.

         Pas vitit të shenjtërimit të Nënë Terezës e të lumnimit të 38 martirëve të parë të komunizmit në Shqipëri, ky është një vit tjetër i bekuar për Kishën Katolike në trevat shqiptare, gjithnjë në shërbim të popullit e në lavdi të Zotit, pa harruar trashëgiminë e çmuar të së kaluarës, të cilën përpiqet ta përtërijë e ta çojë përpara. Urime pra, për gjithë këto festa, të cilat do t’i ndjekim me emisionet tona, përmes informacionit të përgjegjësit të programit shqip, don David Gjugja, i cili ndodhet që sot në udhëtim drejt Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi.  








All the contents on this site are copyrighted ©.