2017-08-31 16:47:00

Tek Papa, liderët e shtatë feve kryesore të Koresë


“Papa Françesku e njeh shumë mirë dhe ndjek nga afër situatën në Korenë e Veriut, sepse është tejet i interesuar për paqen në gadishullin korean. Pas pak ditësh liderët e shtatë feve kryesore të Koresë, do të priten në një audiencë të posaçme nga Ati i Shenjtë. E në këtë takim, do t’i kërkojnë të lutet e ta ndihmojë  popullin korean  për bashkimin e gadishullit”. Njoftimin e jep imzot Igino Kim Hee-joong, kryeipeshkëv i Gwangju e kryetar i Konferencës ipeshkvnore koreane. Audienca me Papën Françesku - shpjegon kryeipeshkvi në një bisedë telefonike me agjencinë Sir, para se të niset për Romë - do të mbahet të shtunën, më 2 shtator. Në takim, së bashku me të, do të marrin pjesë liderët kryesorë fetarë të Koresë. E nuk është hera e parë që liderët koreanë takohen me Papën. U takuan edhe në Kore, në gusht 2014, kur Bergoglio vizitoi vendin. Takimi i sivjetëm bën pjesë në një shtegtim, që do të bëjnë përfaqësuesit e feve në Romë. Shtegtim shumë domethënës, në atmosferën e kërcënimeve për shpërthimin e një lufte bërthamore, që po e provokojnë hedhjet e vazhdueshme të raketave nga regjimi i Pyongyangut. Në prag të takimit me Papën Françesku, kryeipeshkvi Igino Kim bën thirrje për paqen: “Arma e vetme më e sigurt nuk është raketa, por pajtimi përmes dialogut, që duhet zhvilluar në mënyrë sa më të sinqertë, me ndershmëri e besim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.