2017-08-31 16:30:00

Papa “thellësisht i prekur” për viktimat e uraganit në SHBA


Papa Françesku u shpreh afërsinë shpirtërore të dëmtuarve nga uragani, që po shkreton këto ditë, në SHBA, Teksasin e Luizianën: të vdekurit janë më se 37. Në një mesazh, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar kardinalit Daniel DiNardo, kryeipeshkëv i Galveston-Houston e kryetar i Konferencës ipeshkvnore amerikane, Papa pohon se “është thellësisht i prekur për humbjen tragjike të jetëve si dhe për shkatërrimin e madh material, shkaktuar nga kjo katastrofë natyrore. Siguron se lutet për viktimat dhe familjet e tyre si dhe për të gjithë ata, që po japin ndihmesën në këto ditë kaq të vështira, me besim se nevojat e pafundme e të menjëhershme të një morie njerëzish do të vijojnë të frymëzojnë një rrymë të vijueshme solidariteti reciprok, sipas traditave më të mira të vendit. Me këto ndjenja Papa u dërgon  popullsive të dëmtuara Bekimin e tij Apostolik si peng ngushëllimi, force e paqeje në Zotin”.

Ndërkaq vijon të shtohet numri i viktimave në udhën e kalimit të Harvey, uraganit, që u sul mbi Teksasin me shira të rrëmbyera, përmbytje e erë, me shpejtësi 200km/h. Sipas njoftimit të CNN, të vdekurit janë 37, ndërsa dëmet, më se 160 milionë dollarë. Të humburit janë 17 vetë, të shpëtuarit, mijëra, por po aq, edhe ata që kanë mbetur të ngujuar në zonat e vështira për t’u arritur.

Alarmi më shqetësues arrin nga një central kimik në Arkema, pranë Houston, ku janë verifikuar deri tani dy shpërthime. E nuk është e mundur as ta parashikosh e as ta ndalosh, atë që mund të ndodhë. Përmbytja e mungesa e elektricitetit janë pengesë e pakapërcyeshme në përpjekjen për të ndërhyrë. Punonjësit tashmë janë larguar nga zona, ndërsa problemi më shqetësues është përhapja në ajër e substancave kimike.

Edhe në Luisiana është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, ndonëse uragani, duke kaluar në këtë zonë, e ka humbur fuqinë shkatrrimtare. Vendet fqinje, si Meksika e Venezuela, pavarësisht nga tensionet politike, po dërgojnë ndihma, ndërsa vijon puna titanike e shpëtimit, në të cilën janë përfshirë mijëra gra e burra.








All the contents on this site are copyrighted ©.