2017-08-31 14:15:00

Mesazh i Papës në përfundim të Jubileut të Shën Rozës nga Lima


Me një Meshë solemne u mbyll, në Perù, viti jubilar për 400-vjetorin e vdekjes së Shën Rozës së Limës. Ritin, kremtuar në katedralen e Limës, e kryesoi i dërguari i Papës, kardinali Raul Eduardo Vela Chiriboga, kryeipeshkëv nderi i Quitos. Hirësia e tij lexoi edhe mesazhin e dërguar me këtë rast nga Papa. Përmes tij, Ati i Shenjtë i nxit besimtarët ta thellojnë devocionin për Shën Rozën e tyre, që të nxjerrë nga Zoti hire të shumta  për gjithë Kryedioqezën e Limës, Perunë e mbarë botën.

Në mesazh, Françesku e kujton Shenjtoren me një varg, shkëputur nga Kënga e Këngëve: “E rritur si zëmbak ndër ferra”. E ferrat janë pendesët e vazhdueshme të shenjtores, që digjej nga dëshira për t’u siguruar gjithë njerëzve jetën e amshuar në Krishtin.

E lindur në Limë, më 20 prill 1586, e dhjeta ndër 13 fëmijë, Izabela (ky emri me të cilin u pagëzua Shën Roza), bijë e një familjeje fisnike, u frymëzua gjithnjë nga Shën Katerina e Sienës. Si ajo, veshi zhgunin e terciares  domenikane dhe e shndërroi shtëpinë në spital për nevojtarët, sidomos për fëmijët e pleqtë e braktisur indianë. Nga viti 1609 u mbyll në një qeli prej dy metrash katrore, ndërtuar në kopshtin e shtëpisë amtare, nga e cila dilte vetëm për të shkuar në Kishë. E shkrirë fizikisht nga një jetë tejet e shtrënguar në të gjitha drejtimet, u shua ngadalë më 24 gusht 1617.

E shenjtëruar në vitin 1671 nga Klementi X, qe një nga shenjtoret e para të Amerikës: është pajtorja e Perusë, e Botës së Re dhe e Filipineve.








All the contents on this site are copyrighted ©.