2017-08-29 17:50:00

Fjalët e Papës Gjon Pali II për Nënë Terezën dhe ekspozita në Prishtinë


Një Ekspozitë për Nënë Terezën në Prishtinë, për 107 vjetorin e lindjes, 20 vjetorin e kalimit në amshim e 1 vjetorin e Shenjtërimit të saj, me dëshmi e dokumente.  “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespodenca”, ky titulli i ekspozitës hapur në Prishtinë të shtunën e kaluar, më 26 gusht 2017, me rastin e 107 vjetorit të lindjes, 20 vjetorit të kalimit në amshim e të 1 vjetorit të Shenjtërimit të Shën Nënë Terezës, Ganxhe Bojaxhiut.

Ekspozita,  në mjediset e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë,sjell letërkëmbime, fotografi e dokumente. Eshtë realizuar me nismën e Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup dhe Kishës katolike të Kosovës, për të nënvizuar prejardhjen e ‘Lapsit të Zotit’.

Lidhur me prejardhjen dhe përkatësinë e Nënë Terezës, janë kuptimplote e vendimtare fjalët që tha për të Papa i madh Shën Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij historike më 25 prill 1993, në Shkodër, në mbarim të lutjes së mesditës “Mbretëresha e Qiellit”, kur nga ballkoni i kryeipeshkvisë së Shkodrës, Ati i Shenjtë Wojtilla i drejtoi një përshëndetje Nënë Terezës. Këto fjalë kuptimplote të Shën Gjon Palit II ripohuan përfundimisht, para mbarë botës, origjinën shqiptare të Ganxhe Bojaxhiut, të Shën Nënë Terezës. Ja fjalët e Papës Wojtila: 

Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza E Kalkutës. Të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte pikërisht kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur e më të varfërve ndër të varfër që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në të, në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju falënderoj sot në emër të Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj”!

Po t’i kthehemi ekspozitës që u hap në Prishtinë nga ku na njofton Rabie Ibraj...

Dëshmi e dokumente për jetën dhe shëmbëlltyrën e Shën Nënë Terezës

Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, të shtunën e kaluar është hapur ekspozitë me fotografi  e dokumente për Ganxhën tonë, përkatësisht Shën Nënë Terezën, e emërtuar “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespodenca”.

Kjo ekspozite është përgatitur nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” ne Prishtine, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup dhe Ipeshkëvia e Kosovës, për të shënuar ditëlindjen e 107 të Nënë Terezës, 20 vjetorin e kalimit në amshim  dhe 1 vjetorin e Shenjtërimit të saj.

Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptareve ne Shkup, tha se hapja e kesaj ekspozitë me dëshmi, dokumente e letërkëmbime te prezantuara si asnjëherë tjetër është përgjigja me e mire ndaj atyre qe provuan dhe duan t’i përvetësojnë figurat kombëtare të popullit shqiptar.

 “Me 26 gusht të vitit të kaluar u përpilua kjo ekspozitë dhe rezultoi qe për here të parë t’i jepet përgjigje atyre që cenojnë dhe dëshirojnë të përvetësojnë figura të mëdha të historisë dhe kulturës shqiptare siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Nënë Tereza, që lidhen drejtpërdrejt edhe me identitetin tonë shqiptar”, tha Asani, duke shtuar se fotografitë dhe letërkëmbimet më pas do ti dhurohen Ipeshkvisë së Kosovës.

Sekretari i Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtine, Gjon Berisha e vlerësoi ekspozitën si ngjarje të veçantë kushtuar, siç tha, njeriut te përbotshëm Nënës Terezë. “Nena Terezë nuk kishte ushtarë e as armatë, e as para, por arriti ta pushtoje botën përmes veprës së madhe të dashurisë. Dhe, kjo ekspozite eshte nje pike uje ne oqeanin e madh te vepres se Nenes Tereze, e cila arriti ta sfidoje boten e te prek zemrat edhe te personaliteteve te medha boterore”, tha Berisha.

Ndersa, Imzot Lush Gjergji, Vikar i Ipeshkvise se Kosoves,  komentoi nje fotografi ku deshmohet se Nena Tereze ka mesuar ne gjuhen shqipe. “Nena Tereze vet me ka thene se 8 vite i ka kryer ne gjuhen shqipe, por ju e dini se dokumentet tona shpeshhere i han nentoka, lufta, bombardimet, pakujdesia, ose edhe hajnia e dikujt. Por, deshi Zoti qe kjo fotografi ta kete ne prapavije derrasen e zeze ne te cilen po shkruan: Shkolla katolike shqiptare ‘Zemra e Krishtit’, dhe viti shkollur 1922-1923, dhe ku duket e vetmja Nena Tereze me liber ne dore, qe nenkupton se, ajo e ka pasur pasion leximin”, tha Imzot Lush Gjergji, duke sygjeruar per materialet e publikuara.

 “Mendoj se kjo ekspozite nuk mjafton te shikohet e kalohet sa per te thene, por ndaluni pak dhe lexoni ate qe eshte paraqitur, e do ta keni shume te qarte lidhjen Prizren-Shkup, Shkup-Zagreb, Zagreb-Irlande, Irlande-Kalkute dhe Kalkute e bote. Ky ishte shtegtimi i Nenes Tereze, ajo ishte shtegtarja e mbare njerezimit dhe ajo deshmoi fuqine e fese dhe frymezimin e dashurise”, vleresoi Imzot Lushi Gjergji. Ekspozita do te jete e hapur per disa dite ne Biblioteken Kombetare “Pjeter Bogdani” ne Prishtine.








All the contents on this site are copyrighted ©.