2017-08-28 17:59:00

Mianmar. Nunciatura: shtegtim i Papës, për pajtimin


“Papa shtegton në Mianmar si lajmëtar i paqes, për t’i mbështetur të krishterët e për t’u përcjellë të gjithëve thirrjen universale për pajtim”. Me këto fjalë e dha sekretari i Nunciaturës Apostolike, don Dario Paviša, njoftimin për shtegtimin apostolik të Papës në vendin jug-lindor aziatik, gjatë një konference shtypi, me pjesëmarrje shumë të gjerë, organizuar në kryeqytetin Yangon.

Meshtari foli në takimin e mbajtur pikërisht sot nga disa ipeshkvij të Mianmarit, në bashkëpunim me grupet rinore katolike, që  do të përgatisin edhe vizitën e Papës. Më 12 gushtin e kaluar Papa emëroi kryeipeshkvin Paul Tschang In-Nam, nunc apostolik në Mianmar. Don Dario shpjegon se i pari “ambasador” i Selisë së Shenjtë  pranë këtij vendi, do t’u japë zë 700 mijë katolikëve të ish-Birmanisë e do të kontribuojë në procesin e paqëtimit kombëtar të dhjetra pakicave etnike e fetare, që përbëjnë  popullin e Mianmarit. Folëm në telefon me don Darion, nga Yangon:

Përgjigje: - Morëm sot njoftimin zyrtar, në orën 14.30 me orën e Yangon. Ishin të gjithë gazetarët e, kam përshtypjen se, në një vend budist, kjo tregon se ndjehet interes i fortë për këtë vizitë, sepse është gjë e re për Mianmarin: e jo vetëm për Kishën katolike, por edhe për qeverinë  e për mbarë popullin, që ka shumë nevojë për paqe e dashuri! E kjo është edhe motoja e vizitës. Edhe ipeshkvijtë, gjatë njoftimit zyrtar, botuan një mesazh, drejtuar jo vetëm katolikëve, por mbarë shoqërisë dhe popullit birman. Në të pohojnë se Papa vjen si lajmëtar i paqes që t’i inkurajojë të krishterët, por edhe që të japë një mesazh universal për pajtmin ndërmjet grupeve të ndryshme etnike. E dimë edhe se në Mianamar janë tetë grupe kryesore dhe 135 pakica etnike, që sigurisht kanë shumë nevojë për mbështetjen nga ana e Atit të Shenjtë.

Pyetje: - Të dielën, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku bëri thirrje për Rohingya-t, pakicë ende e përjashtuar e, në disa raste, edhe e persekutuar, në trojet ku banon: pse ka rëndësi që Papa të interesohet për pakicat e Mianmarit?

Përgjigje: - Fjala e Papës është gjithnjë e mirëpritur, posaçërisht kur flet për pajtimin e paqen. Ajo që dua të nënvizoj, është se Mianmari  ka shumë grupe të vogla etnike, që vuajnë si Rohingya: është me rëndësi, prandaj, të flitet për këtë vuajtje. Që kur jam në Mianmar, dëgjoj gjithnjë të thuhet se këtu ka grupe të ndryshme, që akoma sot vuajnë shumë.

Pyetje: - Katolikët, si pakicë, mund të japin ndihmesën e tyre për paqtimin kombëtar…

Përgjigje: - Budistët përfaqësojnë shumicën - kjo dihet - janë 90% të popullsisë, por pa pakicat, të përbëra nga katolikët, myslimanët e hindusitët, nuk mund të arrihet pajtimi. Prej këndej, në këtë proces, duhen përfshirë të gjithë. E posaçërisht Kisha katolike grishet në mënyrë të veçantë, ta ngrejë më shumë zërin për pajtimin ndërmjet etnive të ndryshme e – duhet thënë – edhe ndërmjet feve të ndryshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.