2017-08-28 13:52:00

Tweet i Papës kushtuar Shën Agostinit


“Na bëre për vete, ndaj e shqetë është zemra jonë, derisa të pushojë në Ty”. Këto fjalë të Ipeshkvit të Iponës citon sot Papa Françesku në Tweetin kushtuar Shën Agostinit, ditën kur shenjti kremtohet nga Kisha. Mund ta lexoni në faqen papnore të internetit @Pontifex, në nëntë gjuhë.

Kërkues i shqetë i së Vërtetës, dëshirtar i miqësisë, i zhytur plotësisht në realitetin shoqëror të kohës së vet, Shën Agostini e jetoi me fund çdo stinë të jetës së tij. E deshi studimin, pa hequr aspak dorë nga kënaqësitë e jetës, u edukua në fenë katolike, por e praktikoi kristianizmin vetëm atëherë, kur arsyeja e tij gjeti, në Shkrimin Shenjt, përgjigje për pyetjet e mendjes e të zemrës; diskutoi para Zotit deri në fund të fundit të ditëve mbi dhe, duke i lënë pas, në një mori veprash, reflektimet e tij filozofike e teologjike.

Papa Françesku, në Kapitullin e përgjithshëm të Agostinianëve   

Katër vjet më parë, duke hapur, me një Meshë, Kapitullin e përgjithshëm të agostinianëve, në Bazilikën romake të Shën Agostinit, Papa nënvizoi  se “ipeshkvi i Iponës vijon të na nxisë ta mbajmë gjallë shqetësimin e kërkimit shpirtëror. Shqetësimin e takimit me Zotin, shqetësimin e dashurisë”. Sepse është shqetësimi i zemrës ai, që e çon njeriun drejt Zotit,  shqetësimi personal, për ta njohur Krishtin e shqetësimi për nevojat e tjetrit, për t’iu përgjigjur dashurisë. “Cilat shqetësime na fton t’i nxisim e t’i mbajmë gjallë në jetën tonë, Shën Agostini? Zemra e shqetë e Shenjtit ka ende shumë për të na mësuar. Papa Françesku e nënvizoi këtë, duke kujtuar rrugën e tij personale, në kërkim të kuptimit të jetës e i ftoi të gjithë të reflektojnë mbi këtë shqetësim, në tre aspekte: “Shqetësim i kërkimit të paqes së shpirtit, shqetësim i takimit me Zotin, shqetësim i dashurisë”.  

Kardinali Parolin në Pavia

Në kujtimin liturgjik të Shën Agostinit, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kryesoi, në orën 18.00, kremtimin solemn në Bazilikën  e Shën Pjetrit në Qiellin e artë, të Pavisë, ku ruhet trupi i Atit e Doktorit të Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.