2017-08-26 18:28:00

Parlamentarët katolikë tek Papa. Schönborn: inkurajim i madh!


Nesër, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa do të presë, në Sallën Klementine, në Vatikan, pjesëmarrësit në Konferencën e International Catholic Legislators Network. Është fjala për një rrjet parlamentarësh  katolikë nga mbarë bota, krijuar në vitin 2010 nën kujdesin e kryeipeshkvit të Vjenës, kardinalit Christoph Schönborn dhe të David Alton, anëtar katolik i Dhomës së Lordëve. Çdo vit organizon takime në Fraskati të Italisë.

“Është fjala - shpjegon në mikrofonet tona kardinali austriak - për një grup informal burrash e grash që, me vetëdije të plotë, dëshirojnë të rrinë në politikë si besimtarë. Kanë shpesh edhe diçka tjetër të përbashkët: në parlamentet e tyre janë pakicë. Por janë pikërisht ata, që mbartin vlerat më të rëndësishme e synojnë ta kryejnë shërbimin si katolikë”.

Papët - vëren kardinali Schönborn - na kanë inkurajuar vazhdimisht. Si Papa Benedikti, ashtu edhe Papa Françesku na kanë pritur vit për vit. E kjo “po” e Kishës i mbush me guxim parlamentarët katolikë, duke i ndihmuar për kapërcimin e situatave të vështira. Inkurajohen, pra, nga këto takime vjetore, si në fenë personale, ashtu edhe në veprimtarinë politike.

Kështu, edhe në takimin e nesërm!








All the contents on this site are copyrighted ©.