2017-08-26 16:50:00

Papa shtegtarëve të Çestokovës: askush prej nesh nuk është jetim


Papa Françesku i drejtoi një videomesazh shtegtarëve mbledhur në Shenjtëroren e Jasna Goras në Poloni, në ditën e përkujtimit liturgjik të Zojës së Çestokovës. Sivjet kremtohet 300 vjetori i kurororëzimit, më 8 shtator 1717, të kuadrit të mrekullueshëm, që ruhet në Shenjtërore.

“Uroj që Jubileu, të cilin po e kremtoni, të jetë çast i favorshëm për të ndjerë se askush nuk është jetim në këtë botë jetimërie, askush nga ne nuk është jetim, sepse gjithkush e ka pranë një Nënë, një Mbretëreshë të pashoqe dashurie”. Ky, urimi i Françeskut drejtuar besimtarëve që, së bashku me ipeshkvijtë e meshtarët e tyre, u mblodhën sot në Çestokovë, “kryeqytet shpirtëror” i  Polonisë.

Treqind vjet më parë, ishte Papa i asokohshëm Klementi XI  ai, që i vuri kurorat papnore mbi figuren e Zojës së Jasna Gorës, Mbretëreshës suaj - kujtoi Papa Françesku - e është nder i madh ta kesh Nënën Mbretëreshë.  Nënë e vërtetë, me fytyrën e pikëlluar, nënë që vuan, sepse i ka shumë për zemër problemet e jetës sonë, Nënë, që e kemi gjithnjë pranë, që nuk na i ndan kurrë sytë, që na merr për dore në udhën e përditshme të jetës.

Papa e përfundoi përshëndetjen duke u dhënë të gjithë shtegtarëve Bekimin apostolik, pa harruar të nënvizojë lidhjen e pashoqe që e bashkon Poloninë me pasardhësin e Pjetrit.








All the contents on this site are copyrighted ©.