2017-08-25 14:32:00

Tweet i ri i Papës sot, në faqen e tij të internetit @Pontifex


Tweet i ri i Papës sot, në faqen e tij të internetit @Pontifex, në nëntë gjuhë:  “Të jemi burra e gra të Kishës, do të thotë të jemi burra e gra të bashkimit”. Është mendim i shkëputur nga homelia, shqiptuar në Solemnitetin e Rrëshajëve, më 4 qershorin e kaluar. Françesku pati folur për një tundim shumë të pranishëm në kohët tona, atë të kërkimit të larmisë pa unitet. E pati shpjeguar:

“Kjo ndodh kur njerëzit duan të dallohen, kur formojnë grupime e parti, kur mbajnë qëndrime të ngurta përjashtuese, kur mbyllen në sektarizmat e veta. Këta janë të ashtuquajturit rojtarë të së vërtetës. Atëherë nisin të zgjedhin pjesën, jo të tërën, duke menduar të radhiten me këtë apo atë pjesë, para Kishës; bëhen ‘tifozë’ të njërës palë, në vend që të jenë vëllezër e motra në të njëjtin Shpirt; bëhen të krishterë “të së djathtës a të së majtës”, para se të Jezusit; rojtarë të palakueshëm të së kaluarës ose avanguardistë të ardhmërisë, para se bij të përvuajtur e mirënjohës të Kishës.

Tundimi tjetër, është kërkimi i unitetit, pa larmi:

“Por në këtë mënyrë, uniteti shndërrohet në uniformitet, detyrim për ta bërë gjithçka së bashku e gjithçka njëlloj, për të menduar të gjithë e gjithnjë në të njëjtën mënyrë. Kështu uniteti bëhet homologim e nuk ka më kurrfarë lirie. Por Shën Pali na kujton se ‘Atje ku është shpirti i Zotit, është edhe liria’”(2 Kor 3,17).

Françesku fton t’i kërkohet Shpirtit Shenjt hiri për ta ‘pranuar unitetin e Tij, shikimin, që rrok e do përtej parapëlqimeve personale, Kishën e Tij, Kishën tonë’; për të marrë mbi vete detyrën e unitetit ndërmjet të gjithëve, për t’i dhënë fund thashethemeve, që mbjellin grindjen dhe zilive, që helmatisin, sepse të jesh burrë a grua e Kishës, do të thotë të jesh burrë a grua e bashkimit, e për të kërkuar edhe një zemër, që e shikon Kishën si nënën e vet e si shtëpinë e vet mikpritëse e të hapur, ku ndahet bashkërisht gëzimi shumëformësh i Shpirtit Shenjt.

“Shpirti Shenjt, pra, bën, nga dishepujt, një popull të ri, e pastaj krijon në dishepujt një zemër të re: Krishti i Ngjallur, kur iu duk për herë të parë të vetëve, u tha:”Merreni Shpirtin Shenjt. Atyre të cilëve do t’ua falni mëkatet, do t’u falen (Gjn 20, 22-23)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.