2017-08-24 11:02:00

Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë… Klementi XI: jetë e shkrirë për Krishtin e njeriun


 Emisioni XXI, i fundmi, i rubrikës: “Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…”, është sintezë e jetës së Papës Klementi XI, shkrirë për Krishtin e njeriun

E për ta përfunduar historinë e Papës shqiptar, zgjodhëm një jetëshkrim të shkurtër, botuar në librin “Bota shqiptare”, në vitin 1943. Para tij, mbi Papën shqiptar kishte rënë heshtja e pushtimit turk, pas, ra ajo e diktaturës komuniste. Vonë u kujtuan shqiptarët për Bashkatdhetarin e madh. Por, më mirë vonë se kurrë….

"Gjon Françesk Albani ishte shqiptar prej fisi, i lemë më 22 korrik 1649 n’Urbin, ku kishte ngulë familja e tij e ardhun prej Shqipnije. Kur mbushi 11 vjetët u dërgue për të studjue në Romë. Thuhet se atë natë që hyni në Romë, nji luzmë bletësh u pështuell nëpër dritore të odës së tij në Pallat të Kançelerisë, ku qëndronte i ati. Kjo ndodhí iu duk e çuditshme të gjithë atyne, që e morën vesht. Ndonëse studioi në Romë, laurën e studimeve e muer në Urbin. Mbasi hyni në karrierën kishtare, muer zyre e shkallë të nalta: për shtatë vjet qe qeveritar i Rietit, mbasandej i Sabinës e i Orvietit. Pastaj u ba sekretar i Letrave Papnore (Secretario de’Brevi), zyre që e mbajti derisa u zgjodh Papë. Papa Aleksandri VIII e krijoi kardinal. Mbas vdekjes së Inoçencit XI u ul në fron papnor me emnin Klementi XI. Kur e lajmuen se kardinajtë nji zani e kishin zgjedhë Papë, u pikëllue aq, sa u sëmue, mbasi nuk donte aspak me e pranue atë zgjedhje aq të naltë: ndërhynë katër teologë të fortë për me e bindë, që ta pranonte zgjedhjen për papë e vetëm mbas tri ditsh qindrese e pranoi papninë. Me qenë se i kishte dalë zani si prelat me viryte të nalta, zgjedhja e tij u prit me gëzim të madh prej gjithë krishtenimit të athershëm.

Tri vjet mbasi u zgjodh Papë, dha urdhën të bahej Koncili i Dheut të Shqipnisë e dha edhe disa urdhna, që u përkasin  Kishëve të Shqipnisë. Me 10 korrik 1703 Vinçenc Zmajeviku, Argjipeshkv i Tivarit, i shkruente Klementit XI: “Ti m’urdhnove, o Shejti Atë Papë, me i shikue e me i vu oroe, porsi vizitatuer apostolik, Kishat e Shqipnisë. Unë urdhnit i ndigjova, dheut tem i u-solla rreth e rrotull e gjithëmbarë kërkova, e pashë nevojët e Shqipnisë. Pashë mjerime shumë…

Nën hije tande, o Shejti atë Papë, dheu i Shqipnisë po gazmohet e mbas shum vjetësh po hin me marrë frymë e me çilë sytë: kjo Shqipni që tash sa mot ka ndejë si e harrueme, mblue e vorfnue prej njegullës, nën një Papë shqiptar po del në dritë e me zi ç’pret me fitue emnin e lumninë… Në kaq unë me tjerët vllaznit e mi e mbarë me gjith popullin e Shqipnisë bashkarisht i lutemi Zotit që Ty, Papë shqiptar, me të ruejtë për të gjatë  mot me jetë e me shndet për të mirë të Kishës e për fatin e mbarë t’onin”.

Në vjetin 1711 ndërmjetësoi pranë Republikës së Venedikut  për t’i ndifë fisit të Kelmendit kundra turqvet. Me gjithë se Europa ndodhej në turbullime të mëdha, pati kohën e kujdesin me dërgue misjonarë në Kinë, Persi e Hind e me themelue kisha në ishujt e Filipinevet. Dy letra të Klementit janë dishmi të qëndresës së tij dhe të doktrinës kishtare  kundra jansenizmit. Për të mirën e ndihmën e të vorfënve themeloi në Romë Kongregacionin e lehnimit e të ngushëllimit, pajisi e pasunoi sëmuntore, ndërtoi për djem pa i mbushë njizet vjetët, për me i dá prej bâkëqijve, nji burg me oda të dame, pasunoi bibliotekën e Vatikanit e meremetoi Pantheonin. Për me i ruejtë ma mirë truporet, mermeret e moçme e medajat, bani rregullore të rrepta e ndali që mos luhej kurrgjâ prej vendit pa leje të papës; kështu bani edhe për piktura e mozaikë, kanune të vjetra e mbishkrime, rregulloi lejën e germimeve, ndreqi e përmirësoi shumë vise e punë të tjera. Klementin e mbajnë si krijuesin në Romë të mjeshtrisë së naltë të mozaikëvet. Prej kujdesit të tij lulzuen fabrikat e mjeshtritë e ndryshme.

Vdiq mbas 20 vjet papnie, sikur ai e kishte shenjue në nji shkrim  për me iu gdhendë përmbi vorr. Nën kujdesin e tij baritor janë: 81 vula (Bulla); 141 letra e Breva, të mbledhuna ndër dy blej, 28 homeli a ligjërata e 130 alokucione a biseda me randësi koncistoriale.

Kur vdiq, iu gjetën vetëm 60 skuda e nji listë 600 familjesh, që jetojshin me lmoshë të tij: shpenzoi për lëmoshë mâ se pesë miliûj skuda". 

Marrë nga Bota shqiptare, Libra shteti për shkollat e mesme, n.3, Tiranë, 1943-XXI, fq 553-555

Bibliografi:

Për ata që dëshirojnë të thellohen më shumë, po radhisim më poshtë bibliografinë e shfrytëzuar:

Clemente XI Gian Francesco Albani, In riasunti Storia d’Italia

di Stefano Andretta:  CLEMENTE XI, papa  Dizionario Biografico degli Italiani - Volume 26 (1982)

Giovanni Francesco Albani: Tratto dal Dizionario biografico degli italiani, 26, Istituto della Enciclopedia Italiana, Roma, pp. 302-320.

Maria Moranti: Le biblioteche della famiglia Albani

Cecil H. Clought, The Albani library and Pope Clement XI, "Librarium", 12 (1969), pp. 11-21

Bernard M. Peebles, The Bibliotheca Albana Urbinas as represented in the library of the Catholic University of America, in Didascaliae. Studies in honour of Anselm M. Albareda, a cura di  S. Prete, New York 1961, pp. 327-353

Jeanne Bignami Odier, La bibliothéque Vaticane de Sixte IV à Pie XI. Recherches sur l'histoire des collections de manuscripts, Città del Vaticano 1973, pp. 157-161

Ada Alessandrini, Cimeli lincei a Montpellier, Roma 1978

François Fossier, Nouvelles recherches sur la bibliothèque du Pape Clément XI Albani, "Journal des Savantes", 1980, pp. 161-180

Jeanne Bignami Odier, Clément XI amateur de livres et de manuscripts, in Miscellanea Augusto Campana, Padova 1981, pp. 101-123

Alfredo Serrai, Bernardino Baldi. La vita, le opere, la biblioteca, Milano 2002, pp. 37 sg.

Cardinali nominati da Papa Clemente XI,  araldicavaticana.com.

L’ archivio privato di Papa Clement XI e della famiglia Albani  archivioalbani.it.

Papa Clemente XI e Urbino , romeartlover.tripod.com.

The Cardinals of the Holy Roman Church-Albani , www2.fiu.edu.

Bota shqiptare, Libra shteti për shkollat e mesme, n.3, Tiranë, 1943-XXI, fq 553-555

Radhitëm këtu, veprat për Klementin XI - veprat e Klementit XI mund t’i gjeni duke shfletuar sa këtë biografi, aq edhe jetëshkrimet e tjera të Papës shqiptar. Mbetet ende shumë për t’u thënë….








All the contents on this site are copyrighted ©.