2017-08-24 16:06:00

Papa: reforma liturgjike, e pakthyeshme


“Mund të pohojmë me siguri dhe me autoritet magjisterial se reforma liturgjike është e pakthyeshme”. E pohoi Papa Françesku në fjalimin drejtuar sot paradite, gjatë audiencës me pjesëmarrësit e Javës së 68-të Liturgjike Italiane, rreth 800 vetëve, të pranishëm në Sallën Pali VI, që marrin pjesë në takimin e organizuar nga Qendra e Veprimit Liturgjik, lindur 70 vjet më parë. Papa e përshkroi këtë hark kohor, duke u nisur nga ngjarja burimore e reformës liturgjike, Koncili II i Vatikanit, pa harruar gjithë rrugën e gjatë të Kishës në këtë drejtim themelor. Françesku mendon se mbetet ende shumë për të punuar në drejtimin e treguar nga Koncili, duke kapërcyer leximet e pathemelta e të sipërfaqshme dhe praktikat, që  e shpërfytyrojnë vetë reformën liturgjike. “Liturgji e gjallë – për një Kishë të gjallë” – kjo ishte zemra e reflektimit të Javës Liturgjike Italiane. Duke e  marrë shtytjen prej kësaj, Françesku kujtoi se liturgjia “është e gjallë”, përmes pranisë reale të misterit të Krishtit. Liturgjia s’është tjetër, veçse  të jetuarit e meshtarisë së Krishtit, dhurim i jetës së Tij. Ndërmjet shenjave të dukshme, altari “simbol i Krishtit, gur i gjallë”, qendër drejt së cilës, në Kishat tona përqendrohet e gjithë vëmendja e meshtarit dhe e besimtarëve.

Liturgjia është edhe jetë për mbarë popullin e Kishës e është popullore, e jo klerikale, sepse në të merr pjesë aktivisht edhe populli: është veprim i Zotit drejt popullit të vet, por edhe veprim i popullit, që lavdëron Zotin dhe e dëgjon. Kisha i mbledh në gjirin e vet, të gjithë, pa përjashtuar askënd, të vegjël e të mëdhenj, të drejtë e mëkatarë, liturgjia është përfshirëse, jo përjashtuese, faktor bashkimi me të gjithë, por pa homologuar. Kisha e thërret secilin për të ndërtuar Korpin e Krishtit!

E liturgjia, së fundi, është jetë - nënvizoi Papa - nuk është ide për t’u kuptuar a rit për t’u kryer, por përvojë për t’u jetuar, që e shndërron mënyrën e të jetuarit e të menduarit. Ndryshe është të dëgjosh kur thuhet “Zoti ekziston”, e ndryshe kur “e ndjen se Ai të do”, kështu si je, tani… E kështu ritet  e lutjet bëhen shkollë e jetës së krishterë.

Françesku i kërkoi Qendrës së Veprimit Liturgjik, kryesuar nga imzot Claudio Maniago, ipeshkëv i Castellanetës, ta vijojë këtë impenjim, domethënë, t’i ndihmojë meshtarët e këngëtarët, artistët e muzikantët të bashkëpunojnë, që liturgjia të jetë burim e kulm i forcës jetëdhënëse të Kishës. Pas këtyre fjalëve, Papa u ndalua  tek burimi i reformës liturgjike duke u nisur nga Piu X e Piu XII, për të arritur tek Koncili II i Vatikanit, pa harruar edhe Enciklikën “Mediator Dei” të Piut XII.








All the contents on this site are copyrighted ©.