2017-08-23 14:07:00

Imzot Pizzaballa: rrënjosja në Krishtin e shpëton krishterimin në Tokën Shenjte


“Në Lindjen e Mesme gjithçka është copëzuar, luftrat i kanë dhjetuar popullsitë, prania e krishterë është reduktuar tashmë në përqindje tejet të vogla. Në Siri, ku duket se lufta po përfundon, sfida më e madhe është t’i bindësh njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre, por perspektiva është e pasigurtë. Ka nisma të lavdërueshme nga ana e kishave lokale, nga françeskanët, jezuitët e salezianët, por nuk mjaftojnë. Shumë të krishterë presin të emigrojnë një herë e përgjithmonë”. Kështu pohoi dje, administratori apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, gjatë fjalës së tij në Mitingun e Riminit, i cili përfundon të shtunën.

Të krishterët duhet të dëshmojnë Ungjillin

         Për imzot Pizzaballa-n, “nuk mjafton të rindërtohet vendi, i duhet dhënë një orientim”. Lidhja e shpresës për të ardhmen me zgjidhje politike e shoqërore nuk do të sjellë tjetër, veçse zhgënjime. Ajo që mund ta shpëtojë krishterimin është vetëm rrënjosja në Krishtin. Të krishterët janë të thirrur të ungjillëzojnë e të dëshmojnë ç’është e bukur, e mirë dhe e vërtetë në Ungjill e në traditën e Kishës, pa u ankuar për atë, që kanë humbur.

Të jemi të aftë për një kumtim të kuptueshëm e tërheqës

         “Nuk shërben – shpjegoi imzot Pizzaballa – të flasim për vlerat e krishtera pa thënë se është Krishti, më i miri që mund të takojmë. Asnjë mur të mos na ndajë, sepse nuk ka asgjë, që nuk vlerësohet nga përvoja e Ungjillit”. Ungjilli është dëshirë për shpresë e me këtë dëshirë, etërit tanë, tha imzot Pizzaballa, ndërtuan katedrale e vepra madhështore. Gjithçka bëjmë, kërkoi ai, duhet të karakterizohet nga një stil i krishterë, me një kumt e një propozim, që gjen shprehje në jetën civile, shoqërore, politike dhe ekonomike. “Është mënyra e krishterë për të thënë se Krishti u bë njeri. Është njohja e lavdisë së Zotit në jetën e përditshme”.

Problemet izraelito-palestineze

         Kjo dëshirë për shpresë duhet transmetuar nga një brez në tjetrin. Duhet gjetur mënyra për t’ia komunikuar këtë bukuri njeriut bashkëkohor, i cili, edhe pa e ditur, pret “Lajmin e Mirë”. Në këtë këndvështrim, imzot Pizzaballa e quajti murin izraelit “turp e plagë në historinë, gjeografinë dhe jetën e njerëzve, simbol i dhimbshëm i mungesës së komunikimit ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve”, shenjë e trishtuar e gjendjes së sotme, e cila nuk sjell asnjë zgjidhje, por vetëm amulli të plotë. Sipas prelatit, nëse nuk zgjidhet çështja e Jeruzalemit, nuk do të ketë paqe e pajtim në zonë. Qyteti i Shenjtë duhet të jetë i të gjithëve: hebrenj, të krishterë e myslimanë.








All the contents on this site are copyrighted ©.